Ndërtesa Pishë (1969) ose "Zgrada Bor" (Figura 1), një ndërtesë banimi e projektuar nga arkitektja malazeze dhe jugosllave Svetlana Kana Radević1 (1937-2000),1 është një shembull i jashtëzakonshëm i një zgjidhjeje konceptuale që integrohet në mënyrë të përsosur me mjedisin. E përfunduar në vitin 1969, ndërtesa ndodhet në qytetin e vogël industrial, Mojkovac, në rajonin verior të Malit të Zi.
Komuna e Mojkovacit është themelua në vitin 1955, por territori i saj ka një histori të gjatë dhe të pasur, që përfshinë qytetin mesjetar të Brskovës, të njohur për miniera. I vendosur në bregun lindor të lumit Tara, Mojkovaci është i lidhur mirë me pjesën tjetër të rajonit përmes Autostradës Adriatike dhe hekurudhës Beograd-Bar (Figura 2).
Zhvillimi ekonomiki i Mojkovacit pas Luftës së Dytë Botërore u nxit kryesisht nga industritë e minierave, të drurit dhe makinerisë, të cilat ndikuan ndjeshëm në zhvillimin urban të qytetit. Veçanërisht, miniera e Brskovës që ishte poashtu më e njohura dhe më e rëndësishmja për ekonominë e rajonit.
Industrializimi u shoqërua me kërkesë në rritje për njësi të reja banimi. Ndërtesa Pishë ishte ndër të parat ndërtesa shumëkatëshe në Mojkovac (Figura 3), e ndërtuar afërsisht në të njëjtën kohë me veprat e tjera të Kana Radević, përfshirë Hotel Mojkovac (1974). Ndërsa, stili arkitektonik i Kana Radević ishte referencë për zhvillimin e komunës (Markuš, 2008).
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, shumë segmente të industrisë pësuan rënie, andaj qytetet e orientuan ekonominë drejt turizmit. Ndryshimi i papritur i sistemit, dhe kalimi nga socializmi në neo-kapitalizëm, ndikoi në tregun e banesave dhe perceptimin e njerëzve mbi hapësirat e përbashkëta (Broulíková & Montag, 2020).
Sipas banorëve më të hershëm, frymëzimi për formën karakteristike të ndërtesës vjen nga forma e pishës, e cila është e zakonshme në rajon, kështu e mori edhe emrin. Përmes këtij dizajni, arkitektja evokon ndërveprimin midis klimës lokale dhe arkitekturës që e krijon (Alihodžić & Stamatović-Vučković, 2019). Megjithatë, në dokumentet zyrtare të planit të përgjithshëm arkitekturor të Arkivit Shtetëror të Malit të Zi (1967), ndërtesa figuron si “Ndërtesa Rezidenciale në Mojkovac”, duke sugjeruar se emri u adoptua më vonë nga banorët.
Ndërtesa përmban 23 njësi individuale, 20 apartamente dhe 3 hapësira komerciale të vendosura në katin përdhesë. Çdo kat përmbanë katër apartamente, me studio karakteristike mansarde në katin e sipërm (Figura 4). Strukturalisht, planimetria është e organizuar në katër degë, të ndërlidhura me shkallë vertikale me dy krah. Shkallët e varura shtrihen prej një muri qendror 20 cm të trashë, meqë janë të përforcuara në majen e ndërtesës ato sigurojnë stabilitet me mbështetje minimale nga muri qendror. Në krye, shkalla përfundon në një pllakë të përforcuar betoni të mbuluar me fletë të valëzuara asbesti dhe çimentoje (Figura 5).
Projekti i përgjithshëm arkitekturor tregon se strukturat e dyshemesë janë ndërtuar nga "tullat mont" me trashësi prej 16 cm (Plani i Përgjithshëm, 1967). Struktura e çatisë përfshin gjithashtu "tullat mont" dhe është mbuluar me fletë të valëzuara asbesti dhe çimentoje (Salonika), të vendosura mbi mbulesën prej dërrasash druri. Në pjesën e sipërme të ndërtesës, trarët prej druri janë vendosur midis dy planeve të murit.
Një nga veçoritë kryesore të dizajnit të ndërtesës janë strehët e dukshme dhe këndore në fasadë, që evokojnë formën e një pishe. Për këtë arsye, emri "Ndërtesa Pishë" është veçanërisht i përshtatshëm. Dizajni origjinal i kulmit përmbanë fletë të gjelbra asbesti dhe çimentoje për të imituar pamjen e gjilpërave të pishës. Megjithatë, ky dizajn u tregua i papërshtatshëm për dimrat e ashpër dhe çatia duhej të zëvendësohej me llamarinë vetëm një dekadë më vonë.
Brenda kësaj forme të veçantë të ndërtesës, arkitektja projektoi me kujdes apartamentet e banimit për të optimizuar funksionalitetin. Katet e para përfshijnë apartamente standarde me një sipërfaqe neto prej rreth 62 m² (Figura 6).
Zona e qëndrimit ditor është projektuar si një hapësirë gjysmë e hapur, e orientuar në drejtim të ndriçimit optimal për të maksimizuar dritën natyrale. Dy dhomat e gjumit janë të pajisura me tavane të pjerrëta karakteristike që krijojnë hapësira të veçanta dhe funksionale brenda. Dollapët e ndërtuar janë integruar në këto tavane të pjerrëta dhe kornizojnë hapjet e ballkoneve franceze, duke përmirësuar performancën dhe estetikën e përgjithshme të hapësirës.
Në shikim të parë, pamja e ndërtesës nuk ka ndryshuar ndjeshëm që nga ndërtimi i saj (Figura 7); ajo që bie në sy është struktura e paligjshme në ish-parkingun dhe peizazhi i neglizhuar përreth. Gjatë fillimit të viteve 2000, disa apartamente u renovuan dhe instalimet e tyre u përditësuan. Rindërtimi më i fundit i çatisë u realizua në vitin 2021, pas një shpërthimi të fuqishëm të erës që dëmtoi pjesë të saj, duke shkaktuar përmbytje në një nga apartamentet.
Deri vonë, puna e një prej arkitektëve më të shquara dhe gruas së parë që mori çmimin prestigjioz në arkitekturë të ish-Jugosllavisë, “Çmimi Kombëtar Borba,” Kana Radević (Figura 8), mbeti kryesisht e panjohur (Alihodžić & Stamatović-Vučković, 2019). Ky qëndrim shoqëror ilustron dhe neglizhimin ndaj trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore të shekullit të kaluar.
Përgjatë bisedës, presidenti i shoqatës së banorëve të Ndërtesës Pishë,2 ngriti një pyetje retorike: "Si është e mundur që një ndërtesë e tillë nuk njihet si trashëgimi arkitekturore dhe kulturore?" Kjo pyetje pasqyron dhe vendosmërinë e tij për të ruajtur dhe mbrojtur hapësirat e përbashkëtë të ndërtesës.
Banorët e tjerë që janë rritur në këtë ndërtesë ndajnë po të njëjtën krenari, duke e vlerësuar faktin se jetojnë në një ndërtese të projektuar nga Kana Radević. Presidenti i shoqatës së banorëve theksoi se shumica e pronarëve të apartamenteve i kanë trashëguar shtëpitë nga prindërit e tyre, të cilët i kishin marrë ato fillimisht nga qeveria ose nga kompanitë për të cilat punonin, siç ishte zakon gjatë Jugosllavisë Socialiste. Shumë nga banorët aktual kaluan fëmijërinë e tyre në këtë ndërtesë (Figura 9).
Një banor reflektoi mbi fëmijërinë e tij, duke thënë: "Me kalimin e kohës dhe me pjekurinë, vlera e vërtetë e disa gjërave bëhet e dukshme—në këtë rast, ndërtesa në të cilën jetojmë. Kur ishim të vegjël, nuk e kishim njohur fillimisht rëndësinë arkitekturore të saj; më shumë e vlerësonim për vlerën e saj sentimentale. Edhe si fëmijë, ne me krenari e identifikuam veten si "Bor zgrađani—qytetarët e Ndërtesës Pishë—sepse, për ne, ajo përfaqësonte diçka të vlefshme dhe të veçantë."
Bashkëjetesa, harmonia dhe dëshira e përbashkët për ndryshim e banorëve janë të dukshme nga bisedat me ta, duke theksuar angazhimin e tyre të përbashkët për të rritur ndjeshmërinë ndaj rëndësisë së Ndërtesës Pishë si një pasuri kulturore. Për më tepër, ata shfaqën një interes të fortë për të mësuar mënyrat e ruajtjes së Ndërtesës Pishë si një pasuri kulturore. Në një kohë kur arkitektura po bëhet gjithnjë e më komerciale dhe përfitimi individual është prioritar, angazhimi kolektiv i banorëve për të mbrojtur ndërtesën dhe hapësirën e përbashkët të tyre bëhet gjithnjë e më i dukshëm (Figura 10).
Emocionet e banorëve, të cilët me krenari e quajnë veten "Bor zgrađani," i japin Ndërtesës Pishë një ndjesi përjetësie. Gjurmët personale që lënë banorët janë po aq të rëndësishme sa vizioni i rafinuar i Kana Radević. Mendimi krijues i inkorporuar në muret e ndërtesës bëhet i plotë vetëm kur kontekstualizohet me qëllimet dhe ndikimet e përdoruesve të saj. Arkitektura e suksesshme, si ajo e Ndërtesës Pishë, jo vetëm që përmbush funksionet e saj, por gjithashtu ngjall emocione dhe një ndjenjë të thellë të identitetit te ata që ndërveprojnë me të.
Fatkeqësisht, Ndërtesa Pishë gjithashtu reflekton një rritje të neglizhencës dhe mungesës së përpjekjeve për të ruajtur dhe njohur veprat arkitekturore të ngjashme, duke çuar në një numër në rritje të ndërtesave të braktisura nga shekulli i 20-të. Kjo qasje thekson dështimin e shoqërisë për të mbrojtur trashëgiminë e saj kulturore dhe rrezikon degradimin e mëtejshëm. Megjithatë, shpresa ruhet për sa kohë që dëgjojmë historitë e banorëve dhe shohim angazhimin e tyre për të ruajtur ndërtesën e tyre. Banorët e Ndërtesës Pishë ilulstrojnë se si përpjekjet e bazuara në komunitet mund të sjellin forma të reja të konservimit të trashëgimisë arkitekturore dhe të inkurajojnë një konservim arkitekturor proaktiv.
Projekti i Ndërtesës Pishë nga Kana Radević është një shembull i fuqishëm se si arkitektura e menduar mirë mund të ndikojë thellësisht te banorët e saj. Puna e saj bashkon dizajnin inovativ me ndjeshmërinë ndaj mjedisit, duke krijuar hapësira që plotësojnë nevojat funksionale dhe zhvillojnë një ndjenjë të fortë krenarie dhe përkatësie. Është thelbësore të ruhet kjo lidhje midis dizajnit dhe ndërgjegjësimit mjedisor, pasi ajo ofron mësime të vlefshme për ndërtimin e ndërtesave të banimit që përmirësojnë cilësinë e jetës. Projekte si Ndërtesa Pishë nga Kana Radević duhet të përdoren si modele për të informuar dizajnet e sotme dhe për të krijuar ndërtesa të banimit që jo vetëm përmbushin nevojat e njerëzve, por gjithashtu frymëzojnë krijimtarinë dhe inovacionin në arkitekturë.
Shtator 2024, Mali i Zi
Merrni përditësime nga balkan story map.
Biografia e ndërtesës
BUILDING BIO
Name of the building: Zgrada Bor- The Pine Tree building
Former name of the building/neighborhood: N/A
Current Address/District: Trg Ljubomira Bakoča, 16
Period of design:1967
Period of construction:1967-1969
Author/Architect/s/Urban planner: Svetlana Kana Radević
Institution/Architectural studio: Preduzeće za projektovanje Titograd
Construction company: Preduzeće za projektovanje Titograd (Organizational-construction company Titograd), Preduzeće Radnik Bijelo Polje (investors) – (Organizational company “The Worker” Bijelo Polje)
The number of buildings: 1
Number of apartments: 23