Periudha e industrializimit të Gjakovës (1960-1990) është një histori e thellë transformimit dhe zhvillimit. Në mes të këtij zhvillimi industrial, peizazhi urban i qytetit filloi të ndryshonte, me ndërtimin e komplekseve të para të banesave kolektive. Ky ndryshim nuk ishte i kufizuar vetëm në sferën arkitekturore dhe urbanistike, pasi ndërtesat e reja të qytetit, qoftë fabrika apo banesa, sollën me vete ndryshime sociale dhe ekonomike. Të gjitha këto zhvillime ishin në përputhje me planin e ish-Jugosllavisë për të rimodeluar strukturat ekonomike dhe sociale, përmes projekteve industriale dhe nismave të planifikimit urban. Megjithatë, kjo valë e shpejtë e modernizimit ishte gjithmonë në ndërveprim me vlerat tradicionale të rrënjosura thellë në popullatë.
Zhvillimi industrial filloi që në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, me fabrikën e parë industriale që ishte një fabrikë tullash dhe ndërtimin e një mulliri me një central elektrik (Industria, 2015). Në epokën para industriale, zemra e qytetit ishte Çarshia e Madhe,1 e vendosur pranë lumit Krena, e njohur jo vetëm për funksionin e saj ekonomik, por edhe si bërthama e jetës sociale dhe politike. Vetëm pas themelimit të fabrikave, aktivitetet ekonomike dhe sociale u zhvendosën në anën tjetër të lumit (Bakija & Nushi, 2015). Pas Luftës së Dytë Botërore, ekonomia e qytetit filloi të përqendrohej në kooperativa artizanale, si kooperativat e këpucarëve, rrobaqepësve, kooperativat tregtare dhe të tjera për shërbime komunale. Më vonë, rreth viteve 1960, përfshiu prodhimin tekstil, së bashku me prodhimin ushqimor, si buka, reçeli dhe përpunimi i mishit (Industria, 2015).
Prosperiteti ekonomik i Gjakovës arriti kulmin gjatë viteve 70-ta, kur në qytet u themeluan disa industri.2 Veçanërisht industria tekstile dallohej me fabrikat që prodhonin fije, pëlhura, triko, si dhe veshje të rënda dhe të lehta. Industria e metalit u zhvillua paralelisht me prodhimin e tubave, produkteve prej telash dhe enëve të veshura me Teflon; inxhinieria elektrike me prodhimin e motorëve elektrikë; industria e përpunimit të drurit, industria e gomës, prodhimi i gazrave teknikë, industria e duhanit, ndërtimi dhe prodhimi i materialeve ndërtimore (Industria, 2015).
Ndër fabrikat kryesore ishin ndërmarrja për përpunimin e lëngjeve të frutave "KBI Ereniku", ndërmarrja e rrobave dhe trikos "HC JATEX", ndërmarrja metalike "KI Metaliku", ndërmarrja tekstile "KI Emin Duraku", industria ndërtimore "KN Dukagjini", ndërmarrja tregtare "KT Agimi", fabrika për grumbullimin e duhanit 'KBI Virgjinia', fabrika e motorëve elektrikë "KI Elektromotori", fabrika e tullave “KN IMN”, ndërmarrja publike për menaxhimin e mbeturinave "Çabrati", ndërmarrja e specializuar në përpunimin e dyerve dhe dritareve “Modeli”, fabrika për përpunimin e mineraleve “Deva”, dhe ndërmarrja e specializuar në prodhimin e bukës dhe produkteve të tjera të pjekura “Žitopromet”, ndër të tjera.
Në vitin 1971, Gjakova kishte mbi 20 ndërmarrje dhe 71,367 banorë (Gjakova Portal, 2015), mbi 20,000 prej të cilëve ishin të punësuar në këto fabrika, së bashku me një numër ekspertësh të larmishëm të prodhimit, përfshirë inxhinierë në fushat mekanike, elektronike dhe elektrike, si dhe profesionistë në ndërtim, arkitekturë, teknologji ushqimore, kimi, tekstil dhe agronomi. Shumë nga këta ekspertë ishin trajnuar në vende si SHBA, Francë, Itali dhe Gjermani, gjë që mundësoi përdorimin e pajisjeve të avancuara perëndimore.
Produkte të ndryshme metalike, tekstili ose druri, si dhe materiale ndërtimore dhe produkte gome, eksportoheshin në vende si Gjermania, Italia, Kanada, SHBA, Rusia, Polonia, Greqia, Bullgaria, Shqipëria dhe vendet e ish-Jugosllavisë, me një vlerë eksporti prej rreth 100 deri në 120 milionë dollarë në vit (Industria, 2015).
Zhvillimi i industrisë nuk erdhi i vetëm; ai solli edhe ndryshime të tjera të rëndësishme. Procesi Titoist i industrializimit3 e përshpejtoi urbanizimin e Kosovës, duke zgjeruar kështu qytetet e vogla si Peja dhe Gjakova, të cilat më herët ishin zhvilluar përgjatë rrugëve tregtare osmane (Pettifer, 2002).
Për njerëzit e Gjakovës, shumë dekada më vonë, jehona e zgjimit industrial të qytetit ende qëndron në bisedat e tyre — si ndër ata që e përjetuan atë periudhë, ashtu edhe ndër ata që e njohin përmes tregimeve — duke qëndruar në qoshet e rrugëve dhe në betonin e ndërtesave kolektive që u shfaqën për herë të parë gjatë asaj kohe. Peizazhi i një qyteti dikur të zbukuruar me shtëpi filloi të ndryshonte, pasi ndërtesat rezidenciale u shfaqën si shenjat e para të modernitetit, në kontrast me sfondin e të vjetrës.
Me fasadën e saj prej betoni dhe asimetrinë, ndërtesat e reja ishin një largim i theksuar nga estetika tradicionale e qytetit, por një që përputhej në mënyrë perfekte me stilin modernist në arkitekturë, brutalizmin (Giuroiu, 2024). Megjithëse brutalizmi ishte shumë i spikatur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, ish-Jugosllavia dukej se e kishte adaptuar atë si një mjet për të krijuar një identitet vizual të veçantë, një utopi socialiste, ndërsa qëndronte mes Perëndimit demokratik dhe Lindjes komuniste (The Guardian, 2019). Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova, nën sundimin jugosllav, kaloi nëpër cikle të shumta zhvillimi, në kërkim të përparimit dhe modernizimit. Si rezultat i zhvillimit industrial dhe themelimit të fabrikave, numri i banorëve në qytete u rrit, duke shkaktuar një transformim drastik në arkitekturë, ndërtesa publike, vende turistike dhe jetën sociale (Beqiri, 2020).
Ndër ndërtesat e para kolektive që transformuan peizazhin e qytetit, janë ato të projektuara nga arkitekti Miodrag Pečić4 në vitin 1976, një arkitekt që punonte në Institutin për Urbanizëm dhe Planifikim të Prishtinës. Shumë aktiv gjatë asaj periudhe, Pečić projektoi disa ndërtesa në mbarë vendin, duke përfshirë Institutin e Albanologjisë (1974-1977), ndërtesën e Neuropsikiatrisë (1979), dhe ndërtesën e Gjinekologjisë (1974), të gjitha të përmendurat më lart ndodhen në Prishtinë (Sadiki, 2020). Për më tepër, ai projektoi grupin e ndërtesave rezidenciale në Gjakovë (Figura 1), të financuara nga ndërmarrja “Dukagjini.” Ky kompleks njihet në nivel lokal si Banesat Kineze ose Banesat e Solidaritetit.5
Të vendosura midis rrugëve Yll Morina, Shën Anton Çerta dhe Shën Migjeni, këto ndërtesa masive kolektive kanë qenë pjesë e peizazhit të qytetit që nga vitet 70-ta, me një strukturë shumë unike që i dallon ato nga ndërtesat e tjera shumë-familjare në qytet (Figura 2).Located between the streets Yll Morina, St. Anton Çerta, and St. Migjeni, these mass collective buildings have been part of the city’s landscape since the 70s, with a very unique structure that set them apart from other multi-family apartment buildings in the town (Figure 2).
Megjithëse sot një pjesë e madhe e fasadës së ndërtesës është e mbuluar nga pemët, ende mund të dallohen format prej betoni, të guximshme dhe të papërpunuara, ashtu siç ishte parashikuar fillimisht kur u projektua (Figura 3). Elementet arkitekturore midis ballkoneve duket se janë dizajnuar jo vetëm për efektin e tyre vizuel, por dhe për të siguruar privatësinë mes njësive banesore. Siç vëren Agon Qela, një arkitekt lokal, në atë kohë "estetika buronte kryesisht nga funksionaliteti."
Ndërtesa rezidenciale përfshin tipologji apartamentesh me një dhe dy dhoma gjumi, siç përcaktohet në planimetri. Apartamentet me dy dhoma gjumi përfshijnë një dhomë ndenjeje dhe kuzhinë të kombinuar, një banjo, dy ballkone dhe një dhomë të vogël magazinimi. Të dy llojet e apartamenteve janë të organizuara në mënyrë sistematike me katër njësi për kat brenda një ndërtese pesëkatëshe (Figura 4).
Megjithëse fillimisht apartamentet duken se i plotësojnë nevojat thelbësore të jetesës, gjatë intervistës me një çift që jeton në njërin prej tyre, u nënkuptua se elemente shtesë, si një banjo e dytë, do ta bënin hapësirën më të përshtatshme. Pavarësisht një dëshirës për më shumë hapësirë dhe komoditet, pronarët e këtyre apartamenteve modeste shpesh organizonin mbledhje me miqtë dhe familjarët. Kur u pyetën nëse apartamentet ofronin mjaft hapësirë për mbledhje të tilla, çifti thjesht buzëqeshi. Pyetja për hapësirën dukej pothuajse e parëndësishme, si një mendim i dytë, sikur nuk u kishte shkuar asnjëherë në mendje. 'Familja dhe miqtë tanë janë gjithmonë të mirëpritur këtu,' thanë ata. Është sikur hapësira zgjerohej dhe përkulet, për të akomoduar jo vetëm vizitorët, por edhe një identitet kulturor që nuk ishe kufizuar brenda apësirës; ai e tejkalonte atë.
Marrëdhënia midis hapësirës dhe kulturës ka qenë gjithmonë një çështje delikate në traditën shqiptare. Shtoni këtu kushtet ekonomike, dhe familjet që ndanin një hapësirë të përbashkët ishin norma; përpara ngritjes së banesave moderne, vëllezërit, secili me familjen e tij, jetonin së bashku nën një çati. Ndërtesat masive kolektive prezantuan një koncept krejt të ri në jetën e çiftit: privatësinë. Kalimi nuk ishte vetëm arkitekturor, por edhe social, ku lidhjet në mes të komunitetit u adaptuan dhe u shfaqën në forma të reja.
Ekzistojnë disa aspekte që i dallojnë ndërtesat e banimit masive të Jugosllavisë nga vendet e tjera socialiste; kryesorja është se rritja e madhe e ndërtimit të banesave u nxit nga firmat e ndërtimit vetë-menaxhuese konkurruese që synonin institucionet që kishin nevojë për banesa për punonjësit, kështu që nuk ishin pronë shtetërore; ishin “pronë shoqërore” (McGuirk, 2018). Ngjajshëm, disa nga fabrikat që u themeluan gjatë zhvillimit industrial në Gjakovë në atë kohë, ndërkohë që kishin nevojë për një shumë fuqi punëtore, blenë apartamentet dhe ua dhanë me qira punëtorëve të tyre, për atë që vetë punëtorët e quanin “një tarifë të vogël qiraje”.
Çabrati, ndërmarrja publike për menaxhimin e mbeturinave, është ndër fabrikat që bleu apartamente për punëtorët a saj në kompleksin e përmendur më lart, Banesat e Kinezit. Megjithatë, shpërndarja e apartamenteve nuk u vendos nga vetë fabrika. Sipas një punonjësi të intervistuar të ndërmarrjes, i cili është gjithashtu pronar i një prej apartamenteve, ishte këshilli i punëtorëve që mbikëqyri procesin e shpërndarjes.6
Këshilli përbëhej nga anëtarë që zgjidheshin nga punëtorët për t'i përfaqësuar ata në vendime të rëndësishme si ky. Gjatë mbledhjeve, këshilli diskutonte dhe votonte për shpërndarjen e apartamenteve, bazuar në kritere si kushtet financiare, përvoja e punës dhe përkushtimi i punëtorëve.
Siç treguan të njëjtët punëtorë të intervistuar, një përqindje u zbritej nga pagat e të gjithë punëtorëve për të financuar banesat. Megjithatë, jo të gjithë punëtorët përfituan nga kjo, pasi jo të gjithë arritën të siguronin një apartament. Prioriteti për banesat iu jepej udhëheqësve dhe më pas pjesës tjetër të punonjësve, veçanërisht atyre që ishin të martuar. Ky sistem rezultoi që disa punëtorë të kontribuonin në fondin e detyrueshëm për banesat pa marrë kurrë një apartament.
Gjatë intervistave me ata që kishin përfituar dhe ata që nuk kishin përfituar apartamente, ata kujtojnë një interes të fortë të njerëzve atëherë për të marrë kredi individuale për të ndërtuar shtëpi personale në vend që të pranonin apartamentet; një lidhje e pashprehur që lidhte zgjedhjet e banimit me statusin shoqëror. Ekzistonte një besim se zotërimi i shtëpisë së vet, në krahasim me jetesën në apartamente të prodhuara masivisht, ishte një tregues i një pozicioni më të lartë shoqëror. Muret e apartamenteve të prodhuara masivisht, ndonëse ofronin strehim, mbanin simbolin e nevojës më shumë sesa të komoditetit. Arkitektura, në këtë kuptim, gjithmonë shërben si simbol i statusit në shoqëri. Duket se, edhe nëse kalon pa u vënë re, si një lloj instinkti, njerëzit gjithmonë e kanë lidhur hapësirën me diçka të thellë dhe domethënëse. Mes këtyre bisedave, u zbulua gjithashtu se, ndonëse kishte shumë punëtorë nga fshatrat ose periferitë e qytetit që ishin punësuar në këto fabrika, disa preferonin të jetonin në shtëpitë e tyre, në hapësira të gjera të rrethuara me kopshte, duke mohuar kështu supozimin se urbanizimi është i dëshirueshëm ose i dobishëm për të gjithë. Shumë prej tyre gjenin rehati dhe identitet në shtëpitë e tyre, diçka që jetesa urbane nuk mund ta riprodhojë lehtë.
Themelimi i shpejtë i fabrikave të ndryshme në mesin e shekullit të 20-të e shndërroi Gjakovën në një qendër industriale. Ndërtimi i komplekseve të banesave kolektive si Banesat Kineze, të projektuara nga Miodrag Pečić, luajti një rol thelbësor në transformimin urban të Gjakovës. Këto ndërtesa nuk ishin thjesht struktura fizike, por simbole të një eksperimenti më të gjerë shoqëror që synonte krijimin e një identiteti të ri modernist brenda qytetit. Kalimi nga lagjet tradicionale “mëhallat” në këto apartamente moderne kishte për qëllim të promovonte një ndjenjë barazie dhe jetese kolektive. Për këtë arsye, ndjenja për këtë periudhë është komplekse, sepse, ndërsa solli prosperitet ekonomik dhe zhvillim urban, përfitimet nuk u shpërndanë në mënyrë të barabartë. Ndërsa këto apartamente fillimisht u konceptuan si një mënyrë për të përmirësuar standardet e jetesës dhe për të siguruar strehim për punëtorët, realiteti shpesh ishte larg idealit. Shumë punëtorë, të cilët kontribuan për një kohë të gjatë në fondet e strehimit, nuk e morën kurrë strehimin e premtuar.
Një nostalgji e vazhdueshme për atë epokë vazhdon të qëndrojë mes atyre që e përjetuan, edhe pse kushtet me të cilat përballen sot mbeten po aq sfiduese sa ishin atëherë. TTransformimi nga një qytezë në fazat e para të urbanizimit në një qytet plotësisht të zhvilluar ishte me të vërtetë një hap i madh, një që është e vështirë të harrohet. Megjithatë, aspiratat utopike të asaj kohe nuk u realizuan kurrë plotësisht. Ajo që ka mbetur nga ai zhvillim tani është në rënie, dhe premtimi i progresit nuk është materializuar për shumë njerëz, ashtu siç nuk ndodhi edhe në të kaluarën.
Ndryshimi arkitekturor drejt modernizmit socialist, i karakterizuar nga format e tij të ashpra dhe utilitare, simbolizonte përkushtimin e shtetit ndaj barazisë, përparimit kolektiv dhe refuzimit të tepricave borgjeze. Megjithatë, ndikimi i tij mbeti kryesisht i kufizuar në zonat urbane. Ndërsa këto zhvillime synonin të promovonin efikasitetin dhe unitetin, ideali utopik socialist mbeti kryesisht teorik. Ai akomodoi vetëm një grup të zgjedhur të integruar në rendin e ri shoqëror, duke dështuar të bindte ose përfshinte shumicën.
Me sa duket nuk arriti të përhapej më tej sesa muret prej betoni të banesave moderniste.
Shtator 2024, Kosovë
Merrni përditësime nga balkan story map.
Biografia e ndërtesës
BUILDING BIO
Name of the building: Banesat Kineze or Banesat e Solidaritetit
Former name of the building/neighborhood:N/A
Current Address/District: Located between the streets Yll Morina, St. Anton Çerta, and St. Migjeni
Period of design: 1976
Period of construction: 1976-1978
Author/Architect/s/Urban planner: Miodrag Pečić
Institution/Architectural studio: Enti per Urbanizem dhe Projektime (Eng. Institute for Urbanism and Project Planning)
Construction company: Enterprise “Dukagjini”
The number of buildings:2
Number of apartments: Four units per floor, in a 5-story building.