+ Podgorica – është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Malit të Zi. U bë kryeqytet pas Luftës së Dytë Botërore, atëherë Titogradi, përjetoi një zhvillim të konsiderueshëm dhe u zgjerua me shpejtësi për të përballuar një popullsi në rritje dhe kërkesat e modernizimit.
+ Malo Brdo – ('Kodra e Vogël') është një nga pesë kodrat më të rëndësishme në Podgoricë. E vendosur në pjesën verilindore të qytetit, zona është kryesisht e populluar me ndërtime të paligjshme. Pavarësisht kësaj, ajo mbetet një destinacion i njohur për ecje, duke ofruar rrugë piktoreske dhe pamje panoramike të qytetit.
+ Momišići – është një zonë urbane e vendosur në rrëzë të Kodrës së Malo Brdo. Plani i parë i detajuar urban për këtë zonë u miratua në vitin 1976, duke njohur potencialin e peizazhit natyror midis kodrës dhe lumit Moraça, si dhe afërsinë e saj me qendrën e qytetit. Megjithatë, zhvillimi nuk ndoqi planin, dhe ajo ende përfaqëson një zonë informale të ndërtimit.
+ Lagjja Malo Brdo – është një kompleks rezidencial i përbërë nga katër ndërtesa, i ndërtuar në vitin 1993 nga arkitekti Aleksandar Keković dhe ekipi i tij. Lagjja ndodhet në pjesën më veriore të planit të detajuar urban për Momišićin dhe përfaqëson të vetmet ndërtesa të përfunduara sipas planit të vitit 1984.
+ City Kej – është një kompleks rezidencial që përbëhet nga tri ndërtesa, ndërtuar në vitin 2019 nga investitori privat Čelebić Group. I vendosur përtej lumit Morača, përballë lagjes Malo Brdo. Gjatë periudhës së shitjeve, kjo lagje u reklamua si një distrikt luksoz, me një shëtitore përgjatë lumit që ende nuk është ndërtuar.
Pas Kongresit të Berlinit dhe përfundimit të periudhës Osmane (1878), Podgorica përjetoi një periudhë rritjeje dhe zhvillimi, u bë pjesë e Malit të Zi dhe filloi të përvetësojë karakteristika stilistike të arkitekturës evropiane (Zejnilović & Husukić, 2019). Qyteti u zgjerua përtej bërthamës së tij të vjetër, dhe rrjeti organik i rrugëve u zëvendësua me një rrjet ortogonal, ky ishte themeli i zhvillimit të mëtejshëm të qytetit (Popović, Vlahović, & Lipovac, 2016).
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Podgorica u bombardua disa herë, mbi 60% të ndërtesave u shkatërruan dhe më shumë se 96% të tyre u dëmtuan (Perović & Bajić Šestović, 2019). Pas Luftës së Dytë Botërore, për Podgoricën nisë faza e zgjërimit urban dhe zhvillimit ekonomik, dhe në të njëjtën kohë merr emrin e ri, Titograd. Nën strategjinë e Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, zhvillohej intensivisht si qendër socio-ekonomike, kulturore dhe tregtare e Republikës Socialiste të Malit të Zi. Kushtet e dobëta të banimit, industrializimi dhe migrimi i banorëve nga komunat e tjera çuan në nevojën për ndërtimin e shpejtë të banesave kolektive (Alihodžić, Vučković, & Ašanin, 2019).
Ndërtimi intensiv i ndërtesave për banim në Mal të Zi filloi në fillim të 60-tave. Politikat e banimit dhe të ndërtimit të vendbanimeve të reja në Mal të Zi ndoqën politikën federale të banimit. Shumica e ndërtesave të reja të banimit u ndërtuan në bregun e djathtë të lumit Moraça – ‘Qyteti i Ri’. Ndërtesat kishin stil modernist-funksionalist, me çati të rrafshta dhe masë kubike (Stamatović Vučković, Bajić Šestović, & Bojović, 2019). Hapësira konsiderohej si një nga burimet më të vlefshme, integrale për ekzistencën e shtetit. Planifikimi dhe dizajni urban u trajtuan me përgjegjësi dhe rreptësi, me synim që hapësira t’i shërbej realizimit të vlerave shoqërore të barazisë dhe drejtësisë. Ishte deklaruar që prona shtetërore ishte prona e të gjithë banorëve (Bojović & Bajić Šestović, 2020). Blloku rezidencial – lagjja, ishte njësia bazë e planifikimit urban.
Lagjet u projektuan për të ofruar një cilësi të lartë jetese për banorët, duke plotësuar të gjitha nevojat e tyre me theks te hapësirat cilësore për kohë të lirë (Piskuric, 2022). Përmes Bashkësive Vetëmenaxhuese të Interesit, përfaqësuesit e qytetarëve – përdoruesit e apartamenteve – dhe përfaqësuesit e ndërmarrjeve shoqërore vendosnin së bashku për vendndodhjen, cilësinë, sasinë dhe çmimin e ndërtimeve të banesave (Bojović & Bajić Šestović, 2020). Arkitektët dhe planifikuesit urban adaptuan qasje moderniste përgjatë rindërtimit të qytetit të pasluftës, me fokus në funksionalitet dhe thjeshtësi në ndërtim, materiale dhe proceset ndërtimore. Kjo qasje rezultoi në krijimin e hapësirave publike të mëdha, bulevardeve të gjera dhe zonave komunale brenda ndërtesave. Projektet për lagjet të mëdha u bënë normë, të karakterizuara nga metodat e ndërtimit të standardizuara dhe prefabrikuara që mundësuan zhvillimin e shpejtë. Gjatë kësaj periudhe, u krijuan themelet e shumicës së lagjeve në Podgoricë, të cilat mishëruan parimet e banesave sociale përmes dizajnit të tyre vizionar.
Pas shpërbërjes së Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë në vitin 1992, Mali i Zi, si pjesë e bashkësisë të Serbisë dhe Malit të Zi, përjetoi pasojat e konflikteve rajonale dhe kaloi një periudhë të vështirë të hiperinflacionit. Një dekadë e kaluar me një aparat shtetëror të dobësuar dhe krizë ekonomike rezultoi në degradimin e planifikimit hapësinor në Podgoricë (Komatina, Kosanović, & Aleksić, 2016). Këto procese vazhduan edhe pas fitimit të pavarësisë në vitin 2006. Transformimi sistematik nga socializmi në kapitalizëm rezultoi në deindustrializim, me çrast punëtorët dhe nevojat e tyre nuk ishin më prioritet i planifikimit urban. Në vend të kësaj, kapitali u bë fokusi, siç dëshmohet me shfaqjen e qendrave tregtare dhe objekteve të tjera komerciale si pika të rëndësishme të qytetit (Vujisić & Krklješ, 2020). Paralelisht me këto procese, ndryshimet në sistem çuan në privatizimin e hapësirës dhe mungesën së kontrollit shtetëror mbi pronën. Investitorët privat u bënë një faktor i rëndësishëm në procesin e planifikimit urban dhe dizajnit arkitektonik, me një mungesë të dukshme të një strategjie më të gjerë (Komatina, Kosanović, & Aleksić, 2016).
Sot (Figura 3), tre dekada pas rënies së komunizmit dhe gati dy dekada pas pavarësisë, Podgorica ende nuk ka arritur të përfundojë tranzicionin dhe të vendosë një strategji të qartë për zhvillimin urban dhe banimit si një qytet bashkëkohorë. Qyteti përballet me sfida në adresimin e përdorimit privat të hapësirës publike dhe mungesës së një drejtimi estetik të përcaktuar nga planifikimi kapitalist (Zejnilović & Husukić, 2019). Ndërtesat për banim dhe ato publike nga periudha e Jugosllavisë socialiste vazhdojnë të jenë strukturat më të dalluara dhe tërheqëse në qytet.
Në zonën e kodrës Malo Brdo, në pjesën veriore të qendrës së Podgoricës, përgjatë lumit Morača, fortifikimet e para u shfaqën gjatë periudhës Osmane. Pas Kongresit të Berlinit dhe zgjerimit të shpejtë të qytetit, filluan të shfaqen vendbanime rezidenciale në këmbët e kodrës, të karakterizuara nga zhvillimi spontan, në zonën e njohur si Momišići (Urbanistički Institut SR Slovenije, 1989).
Sipas Planit të Përgjithshëm Urban të Titogradit të vitit 1974, zona e Planit të Detajuar Urban Momišići 'A' (Figura 4) ishte përcaktua si zonë rezidenciale me hapësira shoqëruese, e organizuar në një sipërfaqe prej 79.6 hektarësh. Plani i parë i Detajuar Urban u zhvillua në vitin 1976, u rishikua në vitin 1984. Edhe pse në këtë zonë ekzistonte tashmë një fond rezidencial i pjesshëm, kryesisht i përbërë nga ndërtime të paligjshme dhe të parregullta, plani arriti të propozojë një zgjidhje që respektonte karakteristikat specifike gjeomorfologjike të zonës. Duke pasur parasysh se kjo zonë kufizohej me një pyll në veri, koncepti i propozuar theksonte lidhjen e akseve të aktivitetit të qytetit me mjedisin natyror dhe morfologjinë e terrenit. Zonat rekreative ishin të organizuara në ndërveprim me zonën ekzistuese të pyllit (Republički Zavod za Urbanizam i Projektovanje - Titograd, 1984).
Ky Plan Urban nuk u zbatua siç ishte planifikuar, ndërsa numri i ndërtimeve të paligjshme vazhdoi të rritet (Komatina, Kosanović, & Aleksić, 2016). Për rrjedhojë, zbatimi i këtij Plani të Detajuar Urban do të kërkonte masa drastike për shembjen e pothuajse të gjithë fondit ekzistues të ndërtesave të banimit. Ndërtesat e vetme të ndërtuara në përputhje me planin e detajuar urban të vitit 1984 ishin komplekset e banimit kolektiv – Malo Brdo në pjesën veriore të zonës dhe ndërtesat e vendosura në qendër të saj.
Aktualisht, e gjithë zona karakterizohet nga këto struktura banimi individuale të ndërtuara në mënyrë të paligjshme, me lartësi, madhësi dhe estetikë të pakoordinuar. Rrugët janë të padefinuara dhe të ndërprera (Ministarstvo ekologije, prostornog planiranja i urbanizma – Vlada Crne Gore, 2022). Plani aktual i detajuar urban nuk parashikon ndryshime optimiste që do të përmirësonin këtë zonë, përveç që e thekson procesin e legalizimit të strukturave informale dhe përmirësimit të infrastrukturës teknike ekzistuese.
Një nga dy distriktet e zhvilluara sipas Planit të Detajuar Urban të vitit 1984, që u zbatua plotësisht siç ishte planifikuar, është kompleksi rezidencial Malo Brdo, i vendosur në zonën veriore të Momišićit, midis shpatit të kodrës Malo Brdo dhe shtratit të lumit Moraça. Projekti për këtë kompleks u realizua midis viteve 1990 dhe 1991 (Alihodžić, 2015), dhe u projektua nga Aleksandar Keković,1 në bashkëpunim me arkitektët Nikola Drakić2 dhe Svetislav Popović.3 Kompleksi rezidencial përbëhet me katër ndërtesa, me rreth 250 apartamente me konfigurime të ndryshme.
Nikola Drakić, anëtar i ekipit të projektimit për këtë projekt dhe drejtues i ekipit që punoi në Planin e Detajuar Urban të vitit 1984, konkludoi se projekti duhej të përfshinte shqyrtime komplekse të çështjeve të lokacionit ekzistues.4 Ndërtesat e ndërtuara janë vetëm pjesë e një projekti që parashikonte struktura shtesë që nuk u realizuan kurrë. Sipas autorëve, ky është projekti i parë arkitektonik i printuar dhe i paketuar teknikisht në një formë moderne.5
Ndërtesat u projektuan në fund të periudhës socialiste dhe si dhe qasjes socialiste ndaj dizajnit, megjithatë ato pasqyrojnë më mirë parimet e saj sesa shumë distrikte të tjera në Podgoricë. Për shkak të vendndodhjes në skajin e zonës së banuar, në fillim të pyllit të Malo Brdo, tranzicioni u arrit duke integruar vegjetacionin mes ndërtesave. Gjithashtu, duke marrë parasysh se ndërtesat ishin të rrethuara nga shtëpi individuale gjatë kohës së ndërtimit, arkitektët bënë një përpjekje të dukshme për të sjellë banesat kolektive më afër atyre individuale, në mënyrë që banorët të përfitonin nga të dy konceptet e banimit në një vend të vetëm. Edhe pse kompleksi kufizohet me një rrugë shumë të frekuentuar, ai përjashton plotësisht trafikun aktiv. Rregullimi i ndërtesave formon hapësira publike të mbushura me zona të gjelbra dhe vende parkimi (Figura 5).
Ky kompleks dallohet nga të gjitha të tjerat në Podgoricë për tipologjinë e tij arkitekturore unike, që mundëson qasjen në apartamente individuale përmes galerive të hapura apo platformave të jashtme.6 Kjo tipologji krijon një ndjesi të një shtëpie me kopsht, duke siguruar një përshkallëzim të kujdesshëm të privatësisë së hapësirës, nga hapësirat publike të lagjes, te ato gjysmë-private që i përkasin banorëve të ndërtesës specifike, dhe përfundimisht te hapësirat plotësisht private në formë tarracash të qasshme përmes galerive të hapura që çojnë në njësitë individuale. Banorët e apartamenteve në katin përdhesë gëzojnë një cilësi të veçantë jetese, pasi disponojnë oborre private me kopshte përpara dhe pas njësive të tyre rezidenciale.
Gjatë vëzhgimit të ndërtesave të kompleksit Malo Brdo, për shkak të adaptimeve të bëra nga banorët dhe paksa pabarazisë së terrenit, fasadat duken si një kollazh dhe nuk janë lehtësisht të lexueshme. Vetëm duke i shkoqitur elementet e pranishme në fasadë mund të kryhet një analizë. Fasada kryesore e ndërtesës karakterizohet nga thjeshtësia, ritmi dhe monumentaliteti, të cilat janë atribute kryesore të arkitekturës socialiste (Ašanin, 2016). Rreth fasadës shtrihet galeria e hapur që ofron qasje në njësitë e banimit. Shtresa dytësore e fasadës përbëhet nga tarraca me porta, të cilat në katet e sipërme mbulohen me çati. Shtresa terciare e fasadës, galeria për qasje, është elementi më i dukshëm dhe i jep ndërtesave karakterin e tyre të veçantë. Ajo përbëhet nga shëtitore të gjata horizontale të mbështetura me harqe. Frymëzimi i autorit për këtë qasje mund të ketë qenë tipologjia e shtëpive malazeze, karakteristike për zonën karstike të Malit të Zi, të cilat kishin shkallë të hapura dhe tarraca të mbështetura me harqe masive, që kishin shumë pjesë, të quajtura 'volat' (Rajković, 2012). Për më tepër, prania e harqeve, së bashku me vegjetacionin dhe gjurmët e jetës së përditshme (telat e rrobave, lodrat e fëmijëve, mobiliet e jashtme), tregojnë karakteristika të arkitekturës mesdhetare (Zoranić, 2012).
Gjatë analizës së perceptimit vizual të kompleksit Malo Brdo, është e dukshme shfaqja e një ritmi të rregullt7 në fasadë, duke formuar një segment (a) të përbërë nga një hark me shtylla mbështetëse dhe parmakë, së bashku me fasadën kryesore që përfshinë katër hapje të barabarta, me distanca të barabarta. Ky segment i përsëritjes ndërpritet nga komunikimet vertikale (b) (Figura 6).
Si pikë referimi, në strukturën fizike të lagjes, dallohet një element piramidal prej xhami në ndërtesën e pozicionuar në kënd.8 Kjo ndërtesë shquhet nga të tjerat për dimensionet më të vogla të planit, dhe për një interpretim të ndryshëm të tipologjisë së galerive (ku komunikimet janë të vendosura në këndin e ndërtesës), mungesën e harqeve, dhe praninë e pjesës piramidale prej xhami në kulmin e saj. Për më tepër, për më shumë se 30 vjet, kjo ndërtesë ka strehuar galerinë e artit “Most” në katin në përdhesë, një fakt që ka bërë që e gjithë lagjja të njihet në biseda të rëndomta, si 'lagjja ku ndodhet galeria “Most”'.
Ndërtesat përmbajnë apartamente me planimetri të ndryshme: garsoniere, apartamente njëdhomëshe, dy dhomëshe dhe tre dhomëshe (Figura 7). Shumica e apartamenteve kanë pësuar modifikime të brendshme dhe të jashtme, duke e bërë të vështirë përcaktimin e planimetrisë së tyre origjinale në mungesë të vizatimeve teknike fillestare. Njësitë më të kërkuara janë ato në katin përdhes, pasi secili apartament përfshin kopshte private të hapura si në pjesën e përparme ashtu edhe në atë të pasme të apartamentit. Kopshtet përpara janë rreth 3.5 metra të gjata, ndërsa ato të pasme janë 6 metra të gjata. Apartamentet në katin përdhesë janë dy dhomëshe, me sipërfaqe rreth 75 metra katrorë, me zona të qarta të ndara të jetesës dhe gjumit. Nga intervista me anëtarin e ekipit Nikola Drakić,2 zbuluam se apartamentet nuk u ndërtuan plotësisht sipas projektit origjinal. Apartamentet në katin përdhesë ishin planifikuar të përfshinin sauna, dhe disa madje një kopsht dimëror, gjë që ishte e pazakontë për apartamentet në vend.
Ajo që i jep autenticitet kësaj lagjeje janë gjurmët e dukshme të përdorimit nga banorët, si dhe modifikimet që ata i kanë bërë në apartamentet e tyre. Ndryshimet më të rëndësishme përfshijnë shtimin e dhomave në zonat e kopshtit dhe tarracës, si dhe ndërtimin e barrierave prej çeliku rreth tarracave të tyre për të siguruar privatësi dhe siguri, duke treguar për problemet e mundshme me të cilat banorët mund të jenë përballur në të kaluarën.
Për të fituar një pasqyrë mbi përvojat e banorëve që jetojnë në kompleksin rezidencial Malo Brdo, u shpërnda një pyetësor9 që mbulonte aspekte të ndryshme të cilësisë së jetesës lidhur me hapësirën e banimit. Për të kuptuar më mirë faktorët që ndikojnë në cilësinë e jetesës në këtë lagje, një numër i barabartë pyetësorësh u dha gjithashtu edhe banorëve të kompleksit City Kej,10 i cili ndodhet përtej lumit Moraça.
Rezultatet e anketës (Figura 8) tregojnë se kompleksi Malo Brdo vlerësohet dukshëm më lart në lidhje me kënaqësinë për hapësirat private dhe publike, zonat e hapura dhe ndjenjën e përkatësisë në komunitet.11 Megjithatë, kompleksi vlerësohet më ulët sa i përket sigurisë dhe pranisë së pajisjeve shtesë si dyqane, restorante dhe farmaci. Përveç përgjigjjeve individuale, rezultatet krahasuese nga pyetësorët ofrojnë një pasqyrë mbi dallimet midis koncepteve të banimit socialist dhe kapitalist, si dhe ndikimin e tipologjisë me galeri në ndjenjën e komunitetit dhe sigurisë.
Shtator 2024, Mali i Zi
Merrni përditësime nga balkan story map.
Biografia e ndërtesës
NEIGHBOURHOOD BIO
Name of the building: Malo Brdo Neighbourhood
Former name of the building/neighborhood: N/A
Current Address/District: Lamele Malo Brdo/ Street Serdara Jola Piletića
Period of design:1991-1992
Period of construction:1993-1994
Author/Architect/s/Urban planner: Aleksandar Keković, Nikola Drakić, Svetislav Popović
Institution/Architectural studio: Republički zavod za urbanizam i projektovanje Titograd
Construction company: no information
The number of buildings: 4
Number of apartments: cca. 250