Ortakolli, lagjja e parë e planifikuar në Prizren, dallon dukshëm nga zonat e tjera. E ndërtuar në vitet 80, në pjesën veriperëndimore të qytetit, Ortakolli mbetet një nga të paktat lagje në Prizren që, përveç banimit, ofron hapësira rekreative për sport dhe socializim, parqe lojërash, hapësira të gjelbra, parking, çerdhe, shkollë fillore, qendër të mjekësisë familjare dhe strehimore nëntokësore. Ky lloj i planifikimit të strukturuar dallon me lagjet e vjetra me ndikim osman në Prizren, si dhe me ato të rejat të mbushura me ndërtesa informale.
Prizreni është i njohur si qyteti historik i Kosovës. Përgjatë historisë, arkitektura e tij ngjasonte me atë të qyteteve osmane, të karakterizuara me rrugë të ngushta dhe objekte të shumta islamike. Poshtë kalasë, mes shtëpive tradicionale, rrugët me kalldrëm, shtrihen në të gjithë qytetin.
Gjatë shekullit të 19-të, si pjesë e Perandorisë Osmane, Prizreni ishte qyteti më i rëndësishëm në provincën e Kosovës, dhe si i tillë karakterizohej me një mënyrë jetese dhe aktivitete kulturore të ngjashme me ato të qyteteve të Anadollit (Çeko & Xhibo, 2019). Popullsia e qytetit u rrit nga 12,800 banorë në vitin 1623 në 20,000 në vitet 1830 dhe 1840 (Riza, 2011).
Shtëpitë e vjetra në Prizren kombinuan funksionin dhe qëllimin, të vendosura në parcela me forma të parregullta, ato arrijnë një shkallë të lartë të kompozimit të lirë.1 Kopshtet e rrethuara me mure, të vendosura prapa shtëpive, siguran privatësi nga rruga. Kati i parë përbëhej nga mure të trasha të bëra me tulla të thara në diell ose gurë, ndërsa katet e sipërme ishin ndërtuar me materiale më të lehta (Fehmiu, 1971).
Këto lagje, të njohura si mahalla, karakterizoheshin nga një rrjet rrugësh e rrugicash të parregullta, diku më të gjera e diku me te ngushta. Në qender të indit urban ishte Çarshija, ku qytetarët punonin dhe tregtonin. Kjo zonë përbëhej nga ndërtesa njëkatëshe të përdorura për tregti ose ndërtesa dykatëshe, ku kati i parë përdorej për tregti ndërsa kati i sipërm si punëtori, me depo të vendosura në pjesën e pasme të dyqaneve (Fehmiu, 1971).
Në vitet 1950, Kosova atëherë pjesë e Jugosllavisë, pati një zhvillim ekonomik, i cili, ndër të tjera nxiti një migrimin popullsie nga zonat rurale në ato urbane (Xërxa-Beqiri, 2020). Me rritjen e popullsisë u rrit kërkesa për më shumë objekte banimi si dhe për qëllime arsimore, kulturore, ekonomike dhe shëndetësore.
Arkitektura moderniste në Kosovë filloi në vitet 1960 dhe vazhdoi deri në 1990.2 Vitet 1970 dhe fillimi i viteve 1980 ishin veçanërisht të rëndësishme për arkitekturën në Kosovë, pasi në këtë periudhë bënë investimet më të mëdha (Jashari-Kajtazi, 2016). Në këtë kohë, Kosova po transformohej ngadalë nën ndikimin e trendeve moderniste në arkitekturë që po shfaqeshin në qytetet kryesore të Jugosllavisë (Gjinolli & Kabashi, 2015).
Ndërtesat e para moderniste në Prizren ishin ndërtesa jorezidenciale me funksione të ndryshme, duke përfshirë Qendrën sportive “Sezai Surroi” (1975), Salloni i mobiljeve “Liria” (1975), Stacioni i autobusëve (1978), Posta dhe Shtëpia e mallërave “Liria”. Ndërtesat e para të banimit kolektiv, gjithashtu ishin ndërtuar në këtë kohë.2
Qendra e Prizrenit nuk ishte ndikuar aq shumë nga modernizmi sa qytetet e tjera, për shkak se shumë ndërtesa ishin të mbrojtura si trashëgimi kulturore. Gjatë periudhës së modernizmit të hershëm, disa ndërtesa në qendër u shkatërruan për t'u zëvendësuar me të reja; megjithatë, këto ndryshime nuk u mirëpritën nga banorët që dëshironin të ruanin idenitetin e qytetit. Pavarësisht kësaj, qyteti vazhdoi të rritej dhe modernizmi u zhvillua më dukshëm në pjesët e zgjeruara të qytetit.2
Ndërsa Prizreni zhvillohej, përballej me problemin e zhvillimit joformal, të cilin komuna e qytetit u mundua ta adresonte në fillim të viteve 1970 (Gjinolli & Kabashi, 2015). Për të kundërshtuar këtë fenomen, plani i detajuar i lagjes Ortakoll u hartua si përgjigje ndaj një kërkese për një vendbanim për 7,000 banorë në një zonë të hapur prej 50 hektarësh, duke zgjeruar qytetin në pjesën veriperëndimore (Gjinolli & Kabashi, 2015).
Ortakolli kështu u bë lagjja e parë e planifikuar në Prizren, një nga dy lagjet e vetme të planifikuara të qytetit. Ajo u hartua nga Hysnije Hisari (1946-2022), urbanistja e parë e Prizrenit. Hartimi i Ortakollit filloi në vitin 1970 në Drejtoratit për Urbanizëm në Komunën e Prizrenit dhe u rividua më vonë nga Bashkësia vetëqeverisëse të interesit, e njohur si BVI për banim, planifikim hapësinor dhe rrugë lokale, në vitet 1980-1981.3 Ndërtimi i Ortakollit filloi menjëherë pas (Gjinolli & Kabashi, 2015).
Në kontrast me lagjet e tjera të mbushura me shtëpi dhe rrugë të ngushta, Ortakolli përmban hapësira të gjera të gjelbra, parqe lojërash dhe fusha sportive. Përreth këtyre hapësirave janë shtatë ndërtesa banimi me fasada të veshura me tulla të verdha, një stil që gjendet edhe në qytete tjera të ish-Jugosllavisë. Duke qenë se është ndërtuar në kohën socialiste, këto ndërtesa banimi ishin projektuar për të ofruar të njëjtat kushte jete, hapësirë dhe dritë natyrale për të gjithë banorët.2 Shumë njerëz ende preferojnë apartamentet në këtë lagje sepse është e organizuar mirë dhe i përmbahet rregulloreve të vjetra, përmban dhoma të mëdha ndenjeje me më shumë dritë natyrale dhe kuzhina me dritare - karakteristika të cilat nuk gjenden shpesh në ndërtesat e ndërtuara sipas rregulloreve të sotme.2
Ortakolli përmban dy tipologji banimi: ndërtesa kolektive të banimit dhe objekte të banimit individual në varg. Të parat ishin projektuar në një stil bashkëkohor, që variojnë në lartësi nga pesë deri në tetë kate, ndërsa shtëpitë kishin tipare të arkitekturës rajonale dhe variojnë nga dy deri në tre kate në larësi (Gjinolli & Kabashi, 2015). Nga sipërfaqja e lagjes, 30% e hapësirës iu kushtua shtëpive individuale dhe 70% ndërtesave të banimi, me 0.6 hektarë të përcaktuar për parqe lojërash për fëmijët, 1 hektar për fusha sportive për futboll, basketboll, hendboll dhe volejboll, dhe 800 metra katrorë për hapësira komerciale, duke përfshirë katër supermarkete.4
Jo vetëm që Ortakolli ishte një nga lagjet e para të dizajnuara të qytetit, por ajo gjithashtu u hartua nga urbanistja e parë e Prizrenit. Në një kohë kur gratë ishin kryesisht të kufizuara në role tradicionale, Hysnije Hisari qëndron si një pioniere në këtë fushë. Ajo sfidoi pritshmëritë shoqërore dhe kontribuoi në formësimin e qytetit. Ajo arriti të bëjë një kombinim të sileve, duke i përmbushur nevojat e reja të banorëve në atë kohë, por duke mbajtur elemente tradicionale që përputhen me kontekstin e qytetit.
Hysnije Hisari, e cila ndërroi jetë në vitin 2022, kishte një rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe frymëzues, i cili rrëfehet me dashuri nga vajza e saj e madhe, Lorika Hisari.5 Megjithëse u rrit në një shoqëri ku pak gra ishin të arsimuara, me mbështetjen e babait të saj, Hysnije Hisari diplomoi në vitin 1971 në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanizmit në Universitetin e Sarajevës me specializim në urbanizëm.6
Hisari filloi karrierën e saj profesionale në vitin 1970 në Komunën e Prizrenit7 në Drejtoratin për Urbanizëm. Menjëherë pas, në vitin 1972, ajo u emërua urbaniste kryesore dhe në vitin 1973 filloi hartimin e projektit për lagjen Ortakoll (Gjinolli & Kabashi, 2015).
Përveç hartimit të planit të lagjes Ortakoll, Hyseni gjithashtu projektoi programe dhe plane të tjera, si programin dhe zgjidhjen urbanistike për kompleksin banesor Kullat (1971), si dhe planin e detal urbanistik të ndërtesave të banimit individual, koncepti në varg (1975), të dyja në lagjen Bazhdarhane. Përveç kësaj, ajo projektoi programin dhe projektin urbanistik të Qendrës sportive - Sezai Surroi (1975) (Gjinolli & Kabashi, 2015).
Karriera e saj u dallua nga një numër çmimesh, si çmimi “Bashkim Fehmiu”8 nga Shoqata e Arkitektëve të Kosovës për kontributin e saj profesional (2019), mirënjohjeje nga Kryetari i Prizrenit për kontributin e saj në urbanizëm dhe arkitekturë për Prizrenin (2019), si dhe mirënjohjeje nga Komuna e Prizrenit (2020), për të dhe bashkëshortin e saj për punën e tyre në rindërtimin e Urës së Gurit në Prizren që u dëmtua nga përmbytjet në vitin 1979.
Banorët e Ortakollit shfaqin një ndjenjë të fortë të komunitetit, një lidhje që është krijuar ndër vite. Pavarësisht a kanë jetuar në lagje për dekada të tëra apo vetëm për disa vite, kanë një krenari të përbashkët që janë pjesë e këtij komuniteti, edhe shumë kohë pas ndërtimit të Ortakollit.
Përmes bisedave dhe një ankete me 28 banorë,9 vlerësimi i përgjithshme i jetës në Ortakoll doli shumë pozitiv. Ndër elementët e lagjes me vlerësime pozitive ishin hapësirat e gjelbra, siguria e zonës, lidhjet me transportin publik, hapësirat rekreative dhe kulturore, si dhe cilësia e ndërtesave. Si ndryshime pozitive përgjatë viteve, banorët numëruan disa investime të vogla në ndriçim, ulëse, parqe lodrash dhe bimë.
Megjithatë, disa probleme janë paraqitur, veçanërisht me rritjen e popullsisë së lagjes. Kjo rritje ka sjellë më shumë vetura dhe një fluks kafeneshë, gjë që nga ana tjetër ka krijuar probleme me zhurmën dhe parkimin. Banorët më të moshuar ishin veçanërisht kritikë ndaj ndryshimeve të bëra pas vitit 2000, duke shprehur mendimin se kushtet e jetesës në lagje ishin më të mira para këtyre zhvillimeve. Edhe pse Ortakolli fillimisht ishte planifikuar si kundërvënie ndaj ndërtimeve joformale, nuk ka qenë plotësisht imun ndaj efekteve negative të këtyre ndërtimeve në zonat përreth. Këto zhvillime kanë kontribuar në mbingarkimin e hapësirave rekreative të Ortakollit.
Një banor 60-vjeçar, i cili ka jetuar në lagje për shumë vite, shprehu zhgënjim e tij me faktin që Ortakolli supozohej të ishte një zonë banimi dhe është njohur si një vend i qetë dhe i përshtatshëm për familje, por vitet e fundit ka ndryshuar në një zonë më komerciale, duke sjellë më shumë zhurmë dhe ndotje. Bizneset e reja u kritikuan për uzurpimin e hapësirave të gjelbra publike, duke kufizuar përdorimin e tyre nga banorët. Për më tepër, disa nga banorët janë fajësuar gjithashtu për ndryshimin e arkitekturës ekzistuese të ndërtesave rezidenciale, qoftë duke ndërtuar dhoma ose ballkone shtesë në banesat e tyre, ose duke uzurpuar disa nga hapësirat e përbashkëta, si korridoret ose bodrumet.
Asnjë nga 28 banorët e anketuar nuk dinte se kush e kishte projektuar lagjen e tyre. Gjeneratat e vjetër pergjigjeshin “ndonjë serb nga koha e Jugosllavisë,” ndërsa të rinjtë thjesht ngrinin supet. Ky është një tregues i fortë se si hapësirat urbane mund të evoluojnë përtej origjinës së tyre, duke marrë identitet të formuar më shumë nga e tashmja sesa e kaluara. Megjithatë, kujtimi i zbehur i rolit të hartueses së lagjes na fton të reflektojmë se si ne, si shoqëri, vlerësojmë punën e padukshme të atyre që krijuan themelet e përvojës sonë urbane.
Ortakolli përfaqëson një dialog midis qëllimeve të së kaluarës dhe realiteteve të së tashmes. Lagjja mishëron ndërveprimin kompleks të kujtesës, identitetit dhe ndryshimeve në hapësirat urbane, duke vazhduar të navigojë tensionet midis nevojave të komunitetit dhe presioneve komerciale. Në fund, ndoshta homazhi më i përshtatshëm për punën e Hisarit nuk është vetëm të kujtojmë emrin e saj, por të vazhdojmë të angazhohemi në mënyrë kritike me hapësirat që banojmë, duke siguruar që parimet e dizajnit të menduar, me fokus tek komuniteti, të mbeten në krye të së ardhmes sonë urbane.
Shtator 2024, Kosovë
Merrni përditësime nga balkan story map.
Biografia e ndërtesës
NEIGHBOURHOOD BIO
Name of the neighbourhood: Ortakoll
Former name of the building/neighborhood: Ortakoll
Current Address/District: Ortakoll, Prizren
Period of design: 1981-1982
Period of construction: 1984-1985
Author/Architect/s/Urban planner: Hysnije Hisari
Institution/Architectural studio: Institute of Urbanism and Architectural Design from Prishtina
Construction company: Housing, Spatial Planning and Road Fund of Prizren
The number of buildings:7
Number of apartments: 30/per apartment