• about
  • storymaps
  • stories
  • fellowships
  • contribute
  • sq
  • en
  • me
Storie të tjera
  • Ndërtesa Pishë e Svetlana Kana Radević
  • XXL, XL, L, M, S: Eksplorimi i shkallëve të lagjes Malo Brdo në Podgoricë
  • Strehimi i shokëve të partisë: Ndërtesa rezidenciale për organet ekzekutive të Republikës Socialiste të Malit të Zi në Titograd, Rruga Beogradska 8/6 (1963-1965)
  • Banesat Kineze në Gjakovë gjatë periudhës së industrializimit
  • Ortakoll: Lagjja e parë e Prizrenit e planifikuar nga urbanistja e parë, Hysnije Hisari

Prishtinë

Ulpiana si trashëgimi moderniste në evolucionin urban të Prishtinës

Agron Canolli

Pas Luftës së Dytë Botërore, Prishtina, ashtu si shumë qytete të tjera në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë, kaloi nëpër transformime të thella që ndryshuan rrënjësisht strukturën e saj urbane dhe shoqërore (Simić, 1974). Këto ndryshime u shfaqën në riorganizimin hapësinor, përdorimin e tokës dhe shpërndarjen e popullsisë. Qyteti u largua nga modelet tradicionale drejt një mjedisi urban modernist (Figura 1). Në zemër të këtij transformimi ishte planifikimi urban sistematik dhe shtimi i ndërtimit të ndërtesave shumëbanesore. Këto ndërtesa shënuan edhe simbolikisht një largim të madh nga struktura tradicionale e qytetit.

Figura 1. Zhvillimi historik i zonës urbane të Prishtinës. Marrë nga Plani strategjik i zhvillimit të Komunës së Prishtinës, 2004.

Kalimi drejt ndërtesave shumëkatëshe të banimit si tipologjia kryesore e strehimit në Prishtinë nuk ishte një proces i izoluar (Hirt, 2013). Ai ishte pjesë e një transformimi më të gjerë socio-hapësinor që përfshiu Federatën Jugosllave dhe më gjerë. Ky kalim, i nxitur kryesisht nga kërkesat e industrializimit të shpejtë, mund të interpretohet si një formë e modernizimit në një kontekst më të gjerë, e lidhur ngushtësisht me statusin e ndryshueshëm politik të Prishtinës brenda Federatës Jugosllave. Në mes të shekullit të 20-të, si kryeqyteti i Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë,1 rëndësia e Prishtinës u rrit progresivisht përmes ndryshimeve kyçe kushtetuese, veçanërisht Kushtetutës së vitit 1974, e cila i dha Kosovës autonomi më të madhe brenda Jugosllavisë. Ky status i përmirësuar politik mundësoi rritjen e investimeve në infrastrukturën urbane të Prishtinës, duke përshpejtuar më tej urbanizimin dhe transformimin e saj (Sadiki, 2020).

Shfaqja e planifikimit urban në Prishtinë

Viti 1953 shënon një moment kyç në zhvillimin urban të Prishtinës, fillimin e planifikimit urban të strukturuar të qytetit. Gjatë këtij viti, u miratua Plani i Përgjithshëm Urban për Prishtinën (1950-1980), i hartuar nën udhëheqjen e arkitektit beogradas Dragutin Partonić2 nga grupi planifikues Iskra3 (Jerliu, 2023). Ky plan njihet gjerësisht si strategjia e parë gjithëpërfshirëse urbane e Prishtinës, duke hedhur themelet për transformimin e qytetit dhe rritjen e pritshme të popullsisë së tij. Plani parashikonte një rritje të konsiderueshme të popullsisë, duke projektuar një pothuajse dyfishim të saj. Deri në vitin 1971, popullsia ishte rritur në 69,524 banorë, duke reflektuar zgjerimin e shpejtë urban që karakterizoi këtë epokë (Sadiki, 2020). Një prej aspekteve më të shquara të planit ishte prezantimi i blloqeve të lagjeve me apartamente shumëkatëshe.

Figura 2. Pamje nga Plani i Përgjithshëm Urban për Prishtinën (1950-1980). Marrë nga Arkiva e Komunës së Prishtinës.

Një dekadë më vonë, u zhvillua “Programi për Projektimin Urban të Tri Lagjeve të Banimit dhe Qendrës së Pjesës së Re të Qytetit” nën udhëheqjen e Bashkim Fehmiut,4 që luajti një rol kyç në formësimin e mjedisit urban në zhvillim të Prishtinës. Ky program theksoi më tej kalimin drejt ndërtesave rezidenciale për shumë familje, duke reflektuar prirjet më të gjera rajonale dhe globale të zhvillimit urban (Kerkezi, 2018). Plani parashikonte që vetëm 15% e banorëve do të jetonin në shtëpi njëfamiljare, ndërsa shumica, 60%, do të banonin në ndërtesa me apartamente katërkatëshe. Një 15% tjetër pritej të jetonin në ndërtesa pesëkatëshe (P+4), ndërsa 10% e mbetur do t'u caktoheshin tipologjive solitare që kalonin dhjetë kate. Kjo përfaqësonte një largim të qartë nga struktura urbane e paraluftës së Prishtinës dhe theksonte kalimin e qytetit drejt një forme më të dendur dhe më të urbanizuar (Sadiki, 2020).

Brenda këtij programi të zhvillimit urban, lagjja Ulpiana u konceptua si një komponent kyç i rritjes së Prishtinës. Planifikimi dhe ndërtimi i Ulpianës në vitet 1960 dhe 1970 ilustronin parimet moderniste të urbanizmit dhe shërbyen si model për evolucionin e qytetit, duke reflektuar prirjet më të gjera të planifikimit urban të shekullit të 20-të (Sadiki, 2020).

Lagjja Ulpiana si shembull tipik i planifikimit urban modernist të Shekullit XX

Lagjja Ulpiana, e ndërtuar në vitin 1968, është një shembull i spikatur i planifikimit urban modernist nga gjysma e dytë e shekullit të njëzetë. Këjo vërehet mes tjerash te organizimi hapësiror i rregullt brenda një rrjete simetrike që prioritizon pastërtinë gjeometrike dhe funksionalitetin (Figura 3). Për më tepër, Ulpiana pasqyron idetë kryesore të lëvizjes për thjeshtësi dhe minimalizëm. Dizajni i lagjes shmang ornamentimet, duke u fokusuar në linja të pastra, hapësira praktike dhe një plan të përgjithshëm të harmonizuar për të krijuar një mjedis urban efikas. Kjo qasje ndjek besimin modernist se "më pak është më shumë," duke theksuar shftrytëzueshmërinë dhe efikasitetin si në planifikimin urban ashtu edhe në arkitekturë (Hickel, 2021).

Figura 3. Pamje e lagjes Ulpiana nga Plani i Përgjithshëm Urban për Prishtinën (1950-1980). Marrë nga Arkiva e Komunës së Prishtinës.

Fasadat e ndërtesave të Ulpianës i ndjekin rreptësisht parimet moderniste, duke shmangur qëllimisht elementet dekorative. Kjo mungesë thekson prioritizimin e  funksionalitetit në arkitekturë. Vijat horizontale dhe vertikale—të dukshme në rreshtimin e dritareve, ballkoneve dhe elementeve strukturore—shtojnë një cilësi ritmike në kompozimin vizual. Vetë lagjja është e kompozuar me shumë vëmendje ndaj konturave natyrore të peizazhit. Të pozicionuara në një kodër, ndërsa katër ndërtesat të tipit Solitaire shërbejnë si pika fokale, duke theksuar topografinë e shkallëzuar dhe duke e dominuar vizualisht hapësirën (Figura 4).

Figura 4. Fotografitë e marra nga Donika Çapriqi, 2024.

Figure 4. Foto kollazh te Ulpianes si lagje dhe fasadave ne Ulpiane.

Këto katër kulla, të organizuara rreth një shatërvani qendror rrethor, shërbejnë si pika referimi arkitektonike dhe urbane. Soliterët mishërojnë esencën e arkitekturës moderniste, me dizajnin e tyre minimalist dhe formën funksionale. Fasadat e thjeshta me linjat e pastra janë një manifestim i drejtpërdrejtë i parimit modernist të artikuluar nga Adolf Loos, se “Ornamenti është Krim,” duke theksuar aspektin utilitar dhe thjeshtësinë mbi teprinë dekorative (Loos & Masheck, 2019). Përtej rëndësisë së tyre arkitektonike, Soliterët janë gjithashtu një pikë referimi e njohur për banorët e Prishtinës, duke shënuar një nga vendet më të dallueshme të qytetit (Figura 5).

Figura 5. Soliterët e Ulpianës, me “shatërvanin në qendër”. Fotografitë e marra nga llogaria publike në Instagram e projektit prishtinaheatsave të Termokos.

Brenda ndërtesave, planimetritë e apartamenteve poashtu përfaqësojnë arkitekturën rezidenciale moderniste, duke theksuar funksionalitetin, efikasitetin dhe parimet utilitare. Duke përdorur një sistem rrjeti prej 60 cm, dizajni adopton një qasje modulare, që mundëson ndërtim të shpejtë dhe me kosto të ulët, duke siguruar njëtrajtshmëri në të gjitha njësitë (Figura 6). Ky modularitet është i dukshme në rregullimin e përsëritur të apartamenteve, në të cilët vërehet demarkimi i qartë i hapësirave private (fjetjes) dhe publike (jetesës). Duke reflektuar konceptin e Le Corbusier se "një shtëpi është një makinë për të jetuar në të"5 këto dizajne prioritizojnë mjedise të jetesës praktike dhe të standardizuara përkundër shprehjes individualiste dhe teprisë dekorative, në përputhje me fokusin e kohës në utilitarizëm (Le Corbusier, 1963).

Figura 6. Pamje nga planet e përzgjedhura të ndërtesave të Ulpianës, duke shfaqur planimetritë e apartamenteve të tyre. Marrë nga studentët e arkitekturës të gjeneratës së UP (2015-16).

Një nga veçoritë përcaktuese të planit urban të Ulpianës është përfshirja e qëllimshme dhe e konsiderueshme e hapësirave publike, rekreative dhe të gjelbra (Figura 7). Këto zona nuk ishin thjesht shtesa; ato ishin thelbësore për dizajnin e lagjes dhe e vendosin lagjen në kontrast të dukshëm me lagjet e zhvilluara në Prishtinë gjatë periudhës së pasluftës dhe post-socialiste. Ndryshe nga zonat e reja, ku prioritetet e drejtuara nga tregu dhe interesat pronarëve të tokës shpesh çuan në mungesë të hapësirave publike, Ulpiana u formësua nga një vizion që e vuri në plan të parë mirëqenien e komunitetit. Hapësirat e planifikuara me kujdes midis ndërtesave të lagjes reflektojnë një angazhim të thellë për nxitjen e ndërveprimit social dhe jetës komunitare, elemente që shpesh mungojnë në zhvillimet me orientim më të theksuar nga përfitimi.

Përfshirja e gjerë e hapësirave publike ishte kryesisht produkt i politikave që i lejonte pronësisë shtetërore e tokës në Jugosllavi. Me tokën nën kontrollin e shtetit, planifikuesit si Bashkim Fehmiu kishin fleksibilitetin të projektonin një lagje që integronte zona të gjelbra, hapësira rekreative dhe zona shumëfunksionale në strukturën urbane, duke siguruar që zona të mbështeste jo vetëm jetesën, por edhe mirëqenien. Kjo qasje thekson aspektet pozitive të planifikimit të centralizuar dhe politikave të menazhimit të tokës të përqendruara në të mirën e përbashkët, duke demonstruar se mjediset urbane mund të jenë funksionale dhe në të mirë të shoqërisë njëkohësisht. 

Figura 7. Pamje e planit të përdorimit të tokës në Ulpianë (majtas) dhe planit të gjelbërimit të Ulpianës (djathtas). Marrë nga studentët e arkitekturës të gjeneratës së UP (2015-16).

Kalimi drejt pronësisë së privatizuar të tokës në Prishtinë e pasluftës çoi në një model zhvillimi që shpesh sakrifikoi këto hapësira publike. Meqë toka u shndërrua në komoditet të rëndomt,  fokusi u zhvendos drejt maksimizimit të fitimit, duke rezultuar në lagje më të dendura dhe më të me më pak hapësira të gjelbra dhe rekreative. 

Sot, Ulpiana vazhdon të jetë një nga lagjet më të jetueshme në Prishtinë, rezultat i planifikimit të menduar dhe vizionar që vuri në plan të parë hapësirën publike dhe jetën komunitare (Weber, R. (2002). Udhëheqja e Bashkim Fehmiut siguroi që hapësirat midis ndërtesave t’u jepej po aq rëndësi sa vetë ndërtesave, duke krijuar një mjedis ku cilësia e jetës mbështetet nga hapësira publike të projektuara mirë. Suksesi i qëndrueshëm i Ulpianës nënvizon se si planifikimi urban, kur udhëhiqet nga parimet e të mirës së përbashkët, mund të krijojë komunitete të gjalla, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Megjithëse natyra e centralizuar dhe nga lart-poshtë e planifikimit socialist është larg së qenit ideale, suksesi i Ulpianës nënvizon rezultatet pozitive që mund të arrihen kur krijimi i hapësirave publike është prioritet. Mësimet nga dizajni i Ulpianës na kujtojnë se politikat e banimit dhe planifikimi i lagjeve duhet të shkojnë përtej ofrimit të strehimit; ato duhet të krijojnë mjedise që nxisin gjithëpërfshirjen, jetueshmërinë, ndërveprimin shoqëror, shëndetin dhe mundësitë për aktivitete të ndryshme. Ndërsa reflektojmë mbi trashëgiminë e urbanizmit socialist, është thelbësore të shohim se si fokusi i tij mbi hapësirat e përbashkëta ofron njohuri të vlefshme për zhvillimin bashkëkohor urban, veçanërisht në një epokë ku modelet e drejtuara nga ‘profiti për hir të proftit’, shpesh anashkalojnë dimensionet sociale të jetës urbane.



Shtator 2024, Kosovo


Arkiva e stories

Fusnotat
  1. Prishtina, si kryeqyteti i Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, kishte një rëndësi të madhe politike dhe administrative brenda Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë (RFSJ). Krahinës iu dha statusi autonom brenda Republikës së Serbisë, një nga gjashtë republikat përbërëse të RFSJ, në vitin 1945. Ky status synonte të njihte përbërjen e veçantë etnike të rajonit, kryesisht shqiptare, duke ruajtur njëkohësisht kontrollin e qeverisë qendrore mbi qeverisjen e saj. Qyteti i Prishtinës u bë kështu një pikë fokale për zbatimin e politikave socialiste, përfshirë planifikimin urban, zhvillimin ekonomik dhe menaxhimin e marrëdhënieve etnike brenda kuadrit më të gjerë jugosllav.
  2. Dragutin Partonić ishte një urbanist dhe arkitekt i rëndësishëm jugosllav, që luajti një rol kyç në transformimin e qyteteve brenda Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë (RFSJ) në mes të shekullit të 20-të. I njohur për përkushtimin e tij ndaj parimeve të modernizmit socialist, Partonić u fokusua në funksionalitet, strehimin masiv dhe hapësirat publike. Puna e tij pati një ndikim të madh në zhvillimin urban të Prishtinës, duke ndihmuar në tranzicionin e qytetit nga planimetria tradicionale në një mjedis urban të planifikuar sipas qëllimeve socialiste.
  3. Grupi i planifikimit Iskra ishte një kolektiv arkitektësh dhe planifikuesish urbanë në Jugosllavi, i njohur për rolin e tyre të rëndësishëm në zhvillimin urban pas Luftës së Dytë Botërore. Aktiv kryesisht në vitet 1960 dhe 1970, ata luajtën një rol qendror në zbatimin e parimeve të modernizmit socialist në qytete të ndryshme, përfshirë Prishtinën. Puna e tyre theksonte dizajnin funksional, strehimin masiv dhe krijimin e hapësirave komunale, duke u përputhur me qëllimet më të gjera të politikës urbane jugosllave gjatë asaj kohe.
  4. Bashkim Fehmiu ishte një arkitekt dhe planifikues urban i shquar kosovar shqiptar, i njohur për kontributet e tij të rëndësishme në peizazhin arkitekturor të Prishtinës gjatë mesit të shekullit të 20-të. Ai luajti një rol vendimtar në prezantimin e parimeve të dizajnit modernist në qytet, duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e tij pas luftës. Puna e Fehmiut pasqyron prirjet më të gjera të modernizmit socialist në Jugosllavi, duke u përqendruar në ndërtesa publike funksionale dhe komplekse rezidenciale që përputheshin me ideologjitë e planifikimit urban të asaj periudhe.
  5. Le Corbusier, një figurë pioniere në arkitekturën moderne, artikuloi me famë këtë koncept për të theksuar funksionalizmin dhe efikasitetin e dizajnit arkitekturor. Ideja e tij ishte që një shtëpi e projektuar mirë duhet të prioritizojë një jetë praktike dhe efikase, e ngjashme me një makinë. Kjo perspektivë ishte thelbësore për lëvizjen moderniste, duke mbrojtur një qasje të pastër, funksionale dhe racionale ndaj arkitekturës që adreson si formën ashtu edhe qëllimin.
Referenca
  1. Hickel, J. (2021). Less is more. Windmill Books.
  2. Hirt, S. (2013). Whatever happened to the (post) socialist city? Cities in Eastern Europe and the former Soviet Union. Urban Studies, 50(1), 29-45.
  3. Jerliu, F. (2023). Pristina Socialista. La storia dell’urbanizzazione incompiuta. FAMagazine Ricerche E Progetti Sull' Architettura E La Città, 64, 70–78. Doi: 10.12838/fam/issn2039-0491/n64-2023/1025
  4. Kerkezi, R. (2018). Transformation of modernism in Socialist Yugoslavia architecture. Prizren Social Science Journal, 2(3).
  5. Le Corbusier. (1963). Towards a new architecture. London: Architectural Press.
  6. Loos, A., & Masheck, J. (2019). Ornament and crime: Thoughts on design and materials (; S. Whiteside, Trans.). Penguin Books.
  7. Sadiki, A. (2020). Arkitektura e ndërtesave publike në Prishtinë 1945-1990: Faktorët shoqëror dhe formësues. Prishtinë, Kosovë: NTG Blendi.
  8. Simić, A. (1974). Urbanization and cultural process in Yugoslavia. Anthropological Quarterly, 47(2), 211–227. https://doi.org/10.2307/3316581
  9. Weber, R. (2002). Extracting value from the city: Neoliberalism and urban redevelopment. Antipode, 34, 519-540.
Agron Canolli

Agron Canolli

Agron Canolli, gazetar, ka diplomë Master në Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Me përvojë 8 vjeçare, ai ka kontribuar në disa media në Kosovë dhe ka bashkëpunuar me OJQ të ndryshme në përpjekjen për ndikim gazetaresk.

Merrni përditësime nga balkan story map.

This website was created with the financial support of the European Union through the project ‘Culture and Creativity for the Western Balkans’ (CC4WBs) implemented by the British Council through the grant scheme Artistic Co-productions. Views and opinions expressed are however those of the author(s) only and do not necessarily reflect those of the European Union or British Council as a granting authority. Neither the European Union nor the granting authority can be held responsible for them.