Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, gjatë mesit të viteve 1970 dhe 1980, përfitoi më së shumti nga fondi i zhvillimit jugosllav për rajonet e pazhvilluara dhe një pjesë e konsiderueshme e këtij fondi, në sektorin e zhvillimit urban, u dedikua për planifikim (Jereliu, 2023). Prej një qyteti të vogël, Prishtina u shndërrua shpejt në një vendbanim urban të strukturuar, të nxitur nga një iniciativë më e gjerë e shtetit që kishte për qëllim modernizimin dhe urbanizimin e rajonit. Ky transformim nuk ishte thjeshtë për krijimin e hapësirave të reja urbane; ishte poashtu shprehje e ideve socialiste, të reflektuar në dizajnet arkitektonike që synonin të kultivonin një stil të veçantë jetës, në përputhje me vizionin e shtetit.
Politikat e pas luftës të urbanizimit që u zbatuan në Jugosllavi ishin dizajnuar për t’iu përgjigjur nevojës urgjente për strehim në qytetet që po rriteshin shumë shpejtë (Straus, 1949). Qeveria socialiste reagoi me një program ambicioz të planifikimit urban dhe të ndërtimit të blloqeve masive të ndërtesaave shumëbanesore. Në qendër të politikës së strehimit jugosllav ishte krijimi i blloqeve të vetë-mjaftueshme rezidenciale që promovonin jetesën komunitare dhe mishëronin idealet e socializmit.1 Banimi konsiderohej e drejtë, dhe shteti fokusohej në ofrimin e hapësirave të përballueshme dhe funksionale për banim për të gjithë qytetarët (Archer, 2017).
Në kontrast me zhvillimin organik dhe të pa strukturuar që ishte karakteristik për periudhat e mëparshme, planifikimi urban gjatë kësaj periudhe u shënua edhe nga integrimi i hapësirave multifunksionale brenda lagjeve rezidenciale. Ndërtesat e mëdha shumëkatëshe nuk ishin projektuar vetëm për strehim, por gjithashtu për të përfshirë shërbime të nevojshme si shkolla, institucione shëndetësore dhe dyqane brenda të njëjtit kompleks ose lagje. Kjo qasje e qëllimshme ishte thelbësore për vizionin socialist për krijimin e një komuniteti të vetë-mjaftueshëm, mendohej që banorët t’i përmbushnin shumicën e nevojave të tyre të përditshme brenda mjedisit të tyre të afërt (Alfirevic & Simonovic Alfirevic, 2018).
Gjatë kësaj periudhe të rritjes, peizazhi urban i Prishtinës u formua në mënyrë të ndjeshme nga ndërtimi i strukturave ikonike si ndërtesat e Aktashit apo Soliterat e Aktashit. Të projektuara në vitin 1971 nga arkitekti Z. Bojović2 dhe të ndërtuara në mes të viteve 1974 dhe 1978. Ndërtesat janë një shembull i ambicieve arkitekturore të kohës. Ato janë të rëndësishme si pika referimi arkitekturore, por edhe për reflektim mbi kontekstin socio-politik që përcaktoi zhvillimin e Prishtinës në vitet e 70-ta (Sendi & Kerbler, 2021).
Përballë sfidave të periudhës, si burimet teknike të kufizuara gjatë fazës fillestare të industrializimit, arkitektët shpesh u mbështetën në dizajne rezidenciale të standardizuara me forma relativisht të thjeshta (Engel, 2022). Megjithatë, edhe brenda këtyre kufizimeve, u prezentua një shprehje krijuese brenda formateve (Nikolic, 2012). Konfigurimi në formë Y i Soliterave të Aktashit, një karakteristikë dalluese në arkitekturën jugosllave (Fig. 1), demonstron se si dizajnet arkitektonike inovative u adaptuan për të arritur statusin ikonik të ndërtesave, kjo kontriboi që të njihen si pika referimi arkitekturore (The Guardian, 2019).
“Aktash 1” në kohën kur u ndërtua, ishte ndërtesa më e lartë e zonës që ngritej në një lagje me ndërtim të ulët. Ndryshe nga blloqet e banimit që ishin të parapara si pjesë e planeve urbanistike të lagjes, Soliterat e Aktashit u ngritën të veçuara nga hapësira përreth dhe, si të tilla, sot ende qëndrojnë në kontrast me ambientin.
Soliterat e Aktashit u projektuan me fokus te nevojat e përditshme të banorëve. Katet e para ishin të pajisura me shërbime të nevojshme përcjellëse të banimit si dyqane të vogla, postë dhe një farmaci, shembull i tendencës më të gjerë në planifikimin urban të Jugosllavisë, ku blloqet e banimit paramendoheshin si njësi të vetë-mjaftueshme që i ofronin të gjitha shërbimet e nevojshme në distancë sa më të afërt. Projektimi fillon nga konceptualizimi i një serie vektorësh dhe pikash mbledhjeje që krijojnë së bashku “fushën” e përdoruesit. Kjo hapësirë është menduar të shërbejë përtej funksionit të thjeshtë të blerjes së mallrave; synon të inkurajojë ndërveprimin shoqëror dhe të ofrojë një ambient ku mund të përjetohet natyra dinamike dhe evoluese e mjedisit (Kusić, 2023) (Fig. 2).
Konstruksioni skeletor i Soliterave të Aktashit, me bërthama të betonit të armuar dhe fasadë me beton brut,4 karakteristika këto të periudhës, që theksonin qëndrueshmërinë dhe estetikën moderniste. Vijat e gravuara karakteristike të fasadës pasqyronin ambiciet artistike të dizajnit, ndërsa përdorimi i tullave shtonte një dimension teksture dhe ngrohtësie. Ky kombinim i betonit për forcë strukturore dhe i tullave për atraktivitet vizual është tipik për arkitekturën rezidenciale socialiste, ku funksionaliteti harmonizohej me kujdes me elementet ekspresive të dizajnit. Kjo qasje, e vërejtur në qytete të ndryshme të ish-Jugosllavisë, është ilustruar në (Figura 3), duke reflektuar tendencat më të gjera arkitekturore të asaj kohe.
Planifikimi arkitektonik i blloqeve rezidenciale të Aktashit u karakterizua nga një integrim i mirëkoordinuar midis hapësirave publike dhe private. Kati përdhes, i pajisur me një gamë të gjerë dyqanesh dhe shërbimesh, funksiononte si një qendër komunitare e gjallë, duke nxitur ndërveprimin shoqëror midis banorëve. Prania e dyqaneve, restoranteve, si dhe dyqaneve të elektronikës dhe mobiljeve, u mundësonte banorëve të plotësonin nevojat e tyre të përditshme brenda lagjes, duke kontribuar në rritjen e kohezionit dhe vetë-mjaftueshmërisë së zonës. Çdo kat rezidencial përmbante nëntë njësi banimi, të organizuara me nga tre njësi për secilin krah dhe të lidhura nga një korridor i gjerë i brendshëm. Ky konfigurim nxiste angazhimin komunitar, me korridorin që shpesh shërbente si një hapësirë e përbashkët për socializim, që forconte lidhjet ndërmjet fqinjëve.
Korridori kryesor dhe shkallët ishin të dizajnuara me hapësirë të mjaftueshme për të lehtësuar ndërveprimet shoqërore dhe për të përfshinin zona për lojëra të fëmijëve, kështu u distancuan nga qasja strikte utilitare e ndërtesave tipike socialiste. Apartamentet varionin në madhësi, çdo kat përmban gjashtë apartamente me një dhomë gjumi dhe tre apartamente me dy dhoma gjumi. Secila njësi ishte projektuar me fokus në funksionalitet, përfshinnte një kuzhinë, dhomë ndeje dhe banjo të veçanta, të lidhura përmes një korridori. Apartamentet më të mëdha në pjesën e përparme të çdo krahu ofronin më shumë hapësirë, kjo reflekton dhe një largim nga dizajni utilitar drejt një qasjeje që sheh më shumë diversitet te nevojat e ndryshme të njerëzve karshi banimit (Figura 4).
Megjithatë, funksionaliteti i soliterave të Aktashit ka evoluar gjatë dekadave, përmes ndryshimeve të bëra nga banorët për të përmbushur nevoja të ndryshme të tyre (MoMA, 2019). Këto ndërhyrje individuale kanë ndryshuar aspekte të dizajnit origjinal, veçanërisht kuzhinat që kishin ndikim të stilit skandinav, të cilat fillimisht ishin në kundërshtim me traditat lokale të hapësirave komunale—një informatë e theksuar nga Profesori Xhelal përgjatë intervistës së realizuar me të për këtë tregim.5
Adaptimi i Soliterave të Aktashit është kontekstualizuar tutje përmes njohurive dhe informatave të vlefshme të Xhelal Llonçarit, arkitekt i njohur nga Prishtina i cili ka punuar dhe në periudhën e ish-Jugosllavisë, momentalisht ai është dhe banor i këtyre ndërtesave. Ai vëren se, ndonëse dizajni me formën Y ishte inovativ, ai prezanton sfida, sidomos në lidhje me orientimin e apartamenteve, që ndikonte në ekspozimin ndaj dritës së diellit. Topologjia në formën Y e Soliterave të Aktashit mund të kuptohet si një shprehje e tendencave artistike të arkitekturës jugosllave të kohës. Kjo qasje “de l'art pour l'art,”6 sipas Xhelal Llonçarit, ndonjëherë rezultoi në kompromise ndaj funksionalitet, sepse ndjekja e dizanjneve avant-garde nganjëherë rezultonte në mungesa praktike. Megjithatë, këto forma artistike kanë forcuar rëndësinë e ndërtesave, duke i pozicionuar ato si monumente të rëndësishme në siluetën e Prishtinës.
Nisur prej obzervimit te tij mbi sfidat arkitekturore dhe ambiciet artistike, Llonçari thekson gjithashtu rëndësinë e sigurisë në ndërtimin e Soliterave të Aktashit, veçanërisht pas tërmetit të Shkupit të vitit 1963, i cili ndikoi drejtpërdrejt në adoptimin e metodave më të qëndrueshme të ndërtimit në Prishtinë (Straus, 1949). Ai poashtu diskutoi mbi aspektet që ndikojnë në socializim që i parashihte dizajni i Soliterave të Aktashit, duke vënë në dukje se integrimi i dyqaneve dhe shërbimeve në katin përdhes ishin vendimtare për krijimin e një komuniteti të vetë-mjaftueshëm. Projektimi i katit përdhes lejonte kalimin e lehtë midis ndërtesave, me korridore të menduara mirë dhe një çati që ofronte mbrojtje gjatë reshjeve. Megjithatë, shumë prej dyqaneve në katin përdhes i kanë zgjeruar hapësirat e tyre, duke i penguar korridoret origjinale dhe vështirësuar lëvizjen midis ndërtesave.
Soliterat e Aktashit ndikouan dhe në artet pamore me çrast i shërbyen dhe si burim frymëzimi artistit lokal Rron Qena.7 Në veprat e tij të fundit, "Pamje nga Sunny Hill" dhe "Në Rrugën për në Shtëpi" (Figura 5), Qena i paraqet këto struktura në një mënyrë që mund të interpretohet si reflektim mbi identitetin e Prishtinës përgjatë evolucionit urban. Ky interpretim sugjeron se qytetet si Prishtina mund të shihen si burime të pasura inspirimi, ato mishërojnë shtresa komplekse të identitetit, historisë dhe modernitetit që i formësojnë mjediset urbane dhe tregimet e tyre. Marrëdhënia mes arkitekturës dhe artit në veprat e Qenës ofron një perspektivë interesante për të kuptuar ndërveprimin dinamik midis strukturave fizike të një qyteti dhe narrativës kulturore dhe historike.
Soliterat e Aktashit, me përzierjen karakteristike të formës dhe funksionit, janë shembull i këtij dinamizmi, duke ilustruar se si arkitektura dhe arti ndërthuren për të ndikuar dhe përcaktuar peizazhin vizual dhe kulturor të një qyteti. Ky lloj arti i konsideron qytetet si burime të shumëfishtëa frymëzimi, duke përfshirë identitetin, historinë, modernitetin dhe dizajnin arkitekturor, ky art pasqyron dhe mënyrën se si mjediset urbane kontribuojnë në narrativën më të gjerë të një qyteti (Abdelbaky, 2017).
Marrëdhënia midis arkitekturës dhe artit është një dialog i vazhdueshëm, ku secila ndikon dhe formëson thellësisht tjetrën. Teksa lëvizim nëpër qytete, ndërtesat na ngjallin emocione, rrëfejnë histori dhe na frymëzojnë të shohim përtej sipërfaqes. Në Aktash, ndërthurja e formës dhe funksionit jo vetëm që formëson peizazhin urban, por gjithashtu rezonon fuqishëm brenda fushës së arteve pamore, duke na kujtuar se kufijtë midis arkitekturës dhe artit shpesh janë bukur mirë të mjegulluar. Ndikimi i ndërsjellë i këtyre fushave vazhdon të formësojë mjediset dhe përvojat tona, duke na inkurajuar të shohim botën me një sy më vëzhgues dhe më mirënjohës.
Në këtë kontekst, ndërtesat e Soliterave të Aktashit qëndrojnë si një shembull i shquar i ndërthurjes së ndërlikuar midis vizionit arkitekturor dhe shprehjes artistike. Dizajni i tyre karakteristik me formën e shrkonjës Y, megjithëse inovativ dhe me ambicie artistike, paraqet njëkohësisht mundësi dhe kufizime. Kjo qasje është në përputhje me diskurset arkitekturore të kohës, ku ndjekja e risive estetike shpesh vinte në sfidë parimet tradicionale utilitare (Banham, 1966). Duke integruar forma të guximshme me konsiderata praktike, Soliterat e Aktashit japin një kontribut të rëndësishëm në debatin e vazhdueshëm mbi mënyrën se si arkitektura mund të njëkohësisht t’i përmbushë kërkesat funksionale dhe të përshtatet me nevojat e ndryshme për për banim.8
Sot,9 pesë ndërtesat e Aktashit qëndrojnë si pikë referimi në qendrën e Prishtinës me fasadat e tyre të dallueshme prej béton brut[4]. Ato shënojnë një kapitull të rëndësishëm të trashëgimisë arkitekturore të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Këto ndërtesa jo vetëm që pasqyrojnë evoluimin historik të arkitekturës së banimit, por gjithashtu ofrojnë një vend për të investiguar dhe zhvilluar një perspektivë kritike mbi zhvillimet e ardhshme në këtë fushë. Duke parë drejt së ardhmes, Soliterat e Aktashit mbeten një dëshmi e qëndrueshme e rëndësisë së qasjeve inovative në dizajn, duke pasqyruar potencialin e tyre për të frymëzuar zgjidhje të reja për zhvillimin e banimit urban.
Shtator 2024, Kosovë
Merrni përditësime nga balkan story map.
Biografia e ndërtesës
NEIGHBOURHOOD BIO
Name of the neighbourhood: Aktash
Former name of the building/neighborhood: Aktash, Tower A1, A2, A3
Current Address/District: Aktash, Agim Ramadani street, 425, 426, 427
Period of design:1971
Period of construction:1974-78
Author/Architect/s/Urban planner: Zoran Bojović
Institution/Architectural studio: N/A
Construction company: Kosovo Vucterrna, Ramiz Sadiku (depending on the towers)
The number of buildings: 3
Number of apartments: 9 apartments per floor, around 108 apartments for the tower