"Dardania - lagjja më e bukur e Prishtinës" shkroi Jakup Bunjaku në vitin 1973 në gazetën Rilindja, duke shënuar përmendjen parë të lagjes Dardania në mediet publike (Haxha, 2023). Ajo ende konsiderohet gjerësisht si një nga lagjet më të dëshirueshme për të jetuar në Prishtinë.
Prishtina shpesh duket si një qytet në rindërtim të vazhdueshëm, historia mbulohet nga ndërtimi i pandërprerë. Në shikim të parë, e kaluara mund të mos jetë e dukshme, por nën sipërfaqe fshihet një qytet me rrënjë të thella. Ai mban gjurmët e vendbanimeve parahistorike, pesë shekuj ndikimi otoman dhe periudhën e ndërtimit më të madh, modernizmimin socialist të qytetit.
Në përputhje me parimin "shkatërro të vjetrën, ndërto të renë",1 një kalim i rëndësishëm ndodhi kur Prishtina u bë qendër administrative e Provincës Autonome të Kosovës dhe Metohisë në vitin 1947, brenda Jugosllavisë. Ky ndryshim nisi një transformim të madh në peizazhin urban të qytetit, i karakterizuar nga dy procese kryesore: rikonceptimi i zonave qendrore dhe zgjerimi në territorin përreth për ndërtimin e lagjeve të banimit (Sadiki, 2020). Poashtu periudha shënoi një largim të qëllimshëm nga e kaluara otomane e Prishtinës, pasi planifikuesit përpiqeshin të impononin një identitet që i pasqyronte rregullat dhe vlerat e modernizmit socialist të Jugosllavisë.
Ky proces i ‘de-Ottomanizimit’ ishte gjithashtu një transformim kulturor. Përfshinte një përpjekje sistematike për të hequr identitetin historik të qytetit, veçanërisht arkitekturën dhe simbolikat kulturore nga periudha osmane. Në qendër të këtij transformimi qëndronte shembja e Çarshisë së Vjetër, e cila u pastrua për të hapur vend për struktura moderniste. (Jerliu & Navakazi, 2019).
Në vitet 1960 dhe 1970 u bënë investime të mëdha ekonomike në Prishtinë, pas një periudhe të gjatë marginalizimi nga institucionet qendrore të Jugosllavisë.2 U ndërtuan ndërtesat a para administrative, kampusi universitar, ndërtesa pë shërbime shëndetësore dhe lagje shumëbanesore. Në këtë kontekst, u ndërtuan disa nga ndërtesat më ikonike të arkitekturës moderniste të Prishtinës. Mirvpo, blloqet e banimit e kishin ndikimin më të thellë në transformimin e qytetit. Lagjja Dardania dallohet si një shembull tipik, brenda këtij ndryshimi të peizazhit urbant të Prishtës.
Lagjja Dardania u shfaq për herë të parë në planin urban të vitit 1962, të zhvilluar nën udhëheqjen e arkitektit Bashkim Fehmiu,3 kryetar i Entit për Planifikimin Urban në Prishtinë. Ky plan parashikonte krijimin e tri lagjeve të reja: Dardania, Bregu i Diellit dhe Ulpiana. Këto zona u konceptuan si modele të urbanizmit modernist, të karakterizuara nga planifikimi utilitar, funksionaliteti i lartë dhe me përbërje prej ndërtesave shumëkatëshe që arrinin deri në 15 kate—një arritje e rëndësishme që reflektonte dhe aspektin e përparimeve teknologjike të kohës.
Dardania gjende në qendër të Prishtinës, midis dy rrugëve kryesore: Bulevardi Bill Clinton (dikur Rruga Lenin) në veri (Figurë 3) dhe Bulevardi Deshmoret e Kombit (dikur Rruga Maršal Tito) në juglindje. Megjithatë, zona kishte shtëpi private të në vitin 1946, atëherë konsiderohej dhe si periferi e një Prishtine më të vogël dhe të zhvilluar organikisht. Transformimi i kësaj zone periferike në Dardani ishte një moment kyç në evolucionin urban të Prishtinës.
Arkitekti i njohur Lulzim Kabashi4 e përshkruan Dardaninë si një lagje urbane të veçantë që përfaqëson njëkohësisht një grupim heterogjen dhe një megastrukturë unike. Dizajni i saj karakterizohet nga një ide radikale, ndarja e lëvizjes së këmbësorëve nga trafikut motorik—një koncept që ishte plotësisht në përputhje me etos-in e planifikimit urban të kohës, që u ndikua dhe nga masterplani i Kenzo Tange për Shkupin.5 Kjo ndarje u arrit duke i ngritur blloqet banesore në një platformë për këmbësorë, ndërsa rrugët vendosen në nëntokë (Kabashi & Gjinolli, 2022).
Dardania dallohej prej lagjeve të përcaktuara në planin urban të vitit 1962 për shkak të formës së saj të veçantë trekëndëshe, u emërua Trougao—do të thotë "trekëndësh" në serbisht— gjatë fazave të para të ndërtimit. Në vitin 1972, u organizua një garë kombëtare gjysëm e mbyllur për planin e detajuar urban. U ftuan pesë studio arkitekture jugosllave për të marrë pjesë. Propozimi fitues u dorëzua nga APZ Plan – Instituti i Projektimit Arkitektonik “Plan” nga Zagrebi (Beganovic, 2014). Mënyra inovative për kohë e organizimit të mobilitetit në lagj ishte një prej faktorëve pë të cilët u shpall projekti ti fitues.6 Projektimi i detajuar urban përfundoi në vitin 1973, ndërtimi filloi në vitin 1974.
Një veçori e lagjes Dardania është arkitektura e saj e koduar me ngjyra. Pavarësisht nëse jeni afër apartamenteve të gjelbra, atyre të kaltërta, ose të ndërtuara me tullë të verdhë e të kuqe, secila zonë ka një fasadë të veçantë që funksionon si një pikë referimi vizuel. Heterogjeniteti i fasadave të ndërteseve jo vetëm që ndërpret monotoninë e planit, por gjithashtu përmirëson orientimin, krijohet një ambient më lehtë për navigim.
Lagjja përfshin dhe shtëpi të ulëta individuale, të vendosura në pjesën jugore. Stili i tyre është në harmoni me arkitekturen e pjesës tjetër të lagjes. Ato kanë fasada me dekorim minimal me tulla te kuqe dhe te kaltëra.
Nëpër mes të lagjes Dardania kalon platoja e famshme e "Kurrizit", ajo ishte shtruar me tulla karakteristik të xhamit në projketin origjinal. Kjo plato shërbën si rrugë kyçe për këmbësoret e lagjes dhe pjesëve të tjera të qytetit. Platforma është e vendosur mbi rrugën pë automjete dhe qendrës tregëtare të Kurrizit. Kjo platformë shërben si një hapësirë aktive publike shumëfunksionale.
Pjesa e lagjes dhe kompleksi që shtrihet mbi Kurrizin (serbisht: “Kičma”; anglisht: “Spine”) është projektuar nga arkitekti Dražen Janković7 në vitin 1980, ndërtimi u përfundua në vitin 1986. Ai është një nga komplekset më të njohura të banimit në qytet, ndryshe njihet si “Banesat e Gjelbërta”. Nga ky kompleks banimi, mund të shihni një pamje panoramike të gjerë të lagjes Dardania. Zona karakterizohet nga ndërtesa prej betoni me tulla të kaltra dhe të kuqe, të rrethuara nga hapësira të bollshme të gjelbra.
Përballë Banesave të Gjelbërta ndodhen ndërtesat e një tipologjie që shfaqet për herë të parë në Prishtinë, me apartamente që kanë qasje përmes galerisë. Këto ndërtesa dallohen për dizajnin e thjeshtë dhe mungesën e dekorimeve, me fasada në ngjyrë të verdhë dhe që variojnë nga katër deri në gjashtë kate. Edhe pse afër Banesave të Gjelbërta, këto ndërtesa janë vizualisht të veçanta dhe nuk perceptohen si pjesë e kompleksit përreth, duke përfshirë Bloqet 2, 4 dhe 6 (Figura 9).
Nën Platformën e Kurrizit ndodhen rreth 400 dyqane dhe kafeteri. Ora e Dardanisë, gjendet në njërën prej hyrjev të tregut të Kurrizit, ndryshe e njohur si "Te ora" (Figura 12). Pazari dhe rruga pedonale janë të dizajnuara me kujdes janë shumë mikpritëse, me mozaikun karakteristik të mermerit, që kontribuon në identitetin e lagjes dhe ka mbetur i pandryshuar deri në ditët e sotme.
Banesat e Gjelbërta, janë blloqet më të njohura të lagjes Dardania, ato janë modele që ndjekin principet moderniste të dizajnit si fasada të lira me dritare të vazhdueshme horizonalisht dhe vertikalisht në vijë të drejtë. Ndërtesat janë kryesisht të ndërtuara nga betoni, me elemente të betonit të vendosura në fasadë. Pjesët e betonit janë të ngjyrosura me ngjyrë të gjelbër karakteristike, ndërsa pjesët tjera janë të mbuluara me tulla të kuqe. Kjo qasje minimaliste, pa elemente dekorative, thekson etikën moderniste të “formës që ndjek funksionin”.8
Qasja moderniste shfaqet qartë edhe në organizimin e njësive të banimit brenda kompleksit Kurrizi, ku është aplikuar korniza e dizajnit modular. Njësitë e banimit, të koduara si H, I, J, dhe K, përfshijnë apartamente studio me sipërfaqe prej 37 m² dhe njësitë me tre dhoma gjumi deri në 82 m². Kompleksi përmbanë 17 ndërtesa në varg me 494 apartamente, me sipërfaqe nga 36 deri në 102 m², dhe një sipërfaqe totale të banimit prej 29,580 m². Kurrizi përfshinë dhe 200 hapësira tregtare me një sipërfaqe prej 7,905 m² dhe ofron 63 vende parkimi.
Në planimetritë origjinale të ndërtesave, që ndodhen në arkivin e Ndërmarrjes Publike të Banesore, janë të vendosura vetëm elementet strukturore prej betoni dhe muret e jashtme të apartamenteve, pa ndarje të brendshme. Kjo ishte një strategji e dizajnit e qëllimshme, që kishte për qëllim t’i ofronte banorëve fleksibilitetin për të personalizuar planet e apartamenteve sipas nevojave individuale. Për kohën kjo paraqet një qasje progresive të dizajnit të ndërtesave të banimit.
Kurrizi qëndron si një dëshmi e rëndësishme e historisë dhe dinamikave shoqërore të Prishtinës, duke u afirmuar si një simbol i fuqishëm i rezistencës urbane. Gjatë viteve 1990, pas revokimit të autonomisë së Kosovës nga Jugosllavia, shqiptarët u përjashtuan nga jeta publike dhe institucionet shtetërore. Në këtë kontekst, Kurrizi u shfaq si një hapësirë alternative për rezistencë dhe socializim, duke u kthyer në një pikë grumbullimi për të rinjtë shqiptarë. Bare dhe restorante jashtë qendrës së qytetit u shndërruan në qendra të gjalla të diskutimeve publike dhe shprehjes kulturore, duke e bërë Kurrizin një vend ku artikulohej rezistenca ndaj segregimit dhe pabarazisë.
Në kujtesën kolektive të atyre që u rritën gjatë kësaj periudhe, Kurrizi ishte më shumë se një hapësirë fizike; ai ishte "qendra e botës së tyre." Kurrizi ishte vendi ku shumë grupe muzikore lokale, përfshirë edhe grupin e parë metal të përbërë nga vajza në Kosovë, "Terror," gjetën zërin e tyre. Kjo gjallëri kulturore shtrihej përtej muzikës, duke përfshirë aktivizmin politik dhe e bënte Kurrizin një vend kyç për mbledhje politike dhe artikulim të rezistencës. Rëndësia e kësaj skene kulturore është dokumentuar në filmin dokumentar Kurrizi - Jeta Paralele në Kosovën e viteve ‘90 (2018), me regji të Orgesa Arifit dhe prodhuar nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB). Dokumentari trajton rezistencën politike që lulëzoi në këtë hapësirë kulturore alternative dhe shtypjen e mëvonshme nga autoritetet, të cilat synonin të frenonin këtë "valë ndryshimi" në rritje. Deri në vitin 1992, masat represive kishin marrë hov, duke bërë që shumica e bareve në zonë të detyroheshin të mbylleshin. Sot, historia e shtresuar—e shënuar nga rezistenca, shprehja kulturore dhe solidariteti i komunitetit—jehon në vetë strukturën e dizajnit të tij.
Sot,9 Kurrizi qëndron si një arkiv i gjallë, i pasur si në rëndësi historike ashtu edhe në vlerë arkitekturore. Historia e tij e shtresuar—e shënuar nga rezistenca, shprehja kulturore dhe solidariteti i komunitetit—jehon në vetë strukturën e dizajnit të tij. Nga këndvështrimi arkitektonik, Kurrizi përfaqëson një model të rëndësishëm të planifikimit urban që thekson rëndësinë e projektimit të kujdesshëm të hapësirave publike dhe "hapësirave mes ndërtesave." Ky koncept nuk reflekton vetëm aspiratat arkitekturore të kohës, por mishëron edhe nevojën për të krijuar hapësira funksionale dhe të qasshme për banorët, duke përforcuar ndjenjën e përkatësisë dhe komunitetit.
Kurrizi vazhdon të frymëzojë reflektim duke qëndruar si një simbol i qëndrueshmërisë urbane dhe identitetit kolektiv të Prishtinës. Në një qytet që vazhdon të transformohet, Kurrizi mbetet një kujtesë e gjallë e fuqisë së dizajnit urban për të formësuar jo vetëm peizazhin fizik, por edhe jetën shoqërore dhe kulturore të banorëve të tij. Ky kompleks vazhdon të jetë një dëshmi e rëndësisë së dizajnit urban të menduar mirë, që ruan dhe thekson vlerat arkitekturore dhe sociale të qytetit, duke i dhënë zë historisë dhe komunitetit që e bëri atë të veçantë.
Shtator 2024, Kosovë
Merrni përditësime nga balkan story map.
Biografia e ndërtesës
NEIGHBOURHOOD BIO
Name of the building: Kurrizi Complex / Dardania Neighborhood
Former name of the building/neighborhood: Kicma Complex / The Triangle (Trougao)
Current Address/District: Dardania Neighborhood, Prishtina, 10000
Period of design:1973 – 1980
Period of construction:Dardania neighborhood:1974 / Kurrizi Complex: 1978–1987
Author/Architect/s/Urban planner: Dražen Janković, Darko Kožjak, Mirko Pak and Milena Fischer
Institution/Architectural studio: ‘APZ Plan’ architectural design organization from Zagreb
Construction company: Ramiz Sadiku
The number of buildings: Kurrizi:15 buildings / Dardania neighborhood: 494 buildings
Number of apartments: Kurrizi: 494 / Dardania: 3600